Rusia akuzon SHBA për ‘përfshirje direkte’ në luftën në Ukrainë (fotot)

02/08/2022 17:43

Rusia ka akuzuar sot SHBA për herë të parë se është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën në Ukrainë.

Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes së Moskës tha sot se SHBA jepte “aprovime” ndaj ushtrisë së Ukrainës për objektivat që mund të goditen nga sistemet e fundit amerikane të artilerisë ‘Himars’, që po përdoren nga forcat e Kievit.

Rrjeti britanik BBC shkruante se gjenerali rus Igor Konashenkov tha se ishin interceptuar komunikime mes zyrtarëve ukrainas ku flitej për këtë, por kjo nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Nuk kishte reagime të menjëhershme nga zyrtarët amerikanë.

Rusia edhe më parë ka akuzuar Uashingtonin se po kryen një luftë të tërthortë “jo me duart e saj” në Ukrainë.

“Administrata Biden është drejtpërsëdrejti përgjegjëse për sulmet me raketa të aprovuara nga Kievi ndaj zonave rezidenciale dhe infrastrukturës civile në Donbass dhe rajone të tjera, ku kanë shkaktuar vdekje masive të civilëve”, tha Konashenkov.

Himars është një sistem i shumëfishtë raketor që lëshon raketat e komanduara të preçizionit në objektiva deri në 70km largësi, që është mjeti me largësi më të madhe i zotëruar nga Ukraina.

Në prill ministri jashtëm rus Sergei Lavrov tha se presidenti amerikan Joe Biden dhe NATO që po furnizojnë Ukrainën me miliarda dollarë armatime “janë të përfshira në një luftë të tërthortë kundër Rusisë, prandaj po armatosin entitetin e tërthortë që të bëjë luftën në vend të tyre”.

Gjatë konfliktit në Ukrainë Rusia është akuzuar për krime të shumta kundër njerëzimit, por Moska thotë se ka hapur hetimet për krimet kundër njerëzimit të kryera nga Ukraina dhe aleatët e saj.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA