Një grup artistësh të Teatrit Kombëtar i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Kulturës Elva Margariti me kërkesën për barazvlerësim të rrogave të tyre me ato të artistëve të TKOB, pasi këtyre të fundit u është rritur paga nga 15 për qind deri në 57 për qind.
U gëzuam për kolegët tanë dhe njëkohësisht hidhëruam pa masë për veten tonë. Është hera e parë në historinë e këtij vendi që këto dy institucione kombëtare trajtohen në mënyrë të diferencuar, thuhet në letrën e tyre.
Aktori Naun Shundi thotë: Ne ndihemi jo të barazvlerësuar në raport me rritjen e pagave që ju bë artistëve të TKOB. Maxhoranca e artistëve të TK e kanë ndihmuar edhe kryeministrin dhe bashkinë në prishjen e Teatrit Kombëtar. Mund të na tregoni, për çfarë arsye nuk na u rrit dhe ne rroga?
Në letër thuhet se; me gjithë vështirësitë që u krijuan, që nga “beteja’ për Teatrin, prishja e godinës së vjetër të TK-së, spostimi te ArTurbina dhe pandemia, ne sot po ja arrijmë përsëri, falë një pune të jashtëzakonshme, të mbushim plot e përplot sallën e ArTurbina. Ketë sezon artistik post-pandemik’, kemi marrë pjesë dhe kemi interpretuar në produksione shumë të mëdha e të vështira, “Coriolanus”, “Edmond”, “Ferma e Kafshëve”, “Përvjetori i Ditëlindjes”etj.
Kryeministri, megjithë agjendën e ngarkuar, deri në fund të muajit të na kthejë një përgjigje. Nëse deri në fund të muajit ne nuk marrim një përgjigje do të jemi të detyruar të ndërmarrim një hap tjetër, thotë Shundi.
Ata shprehen me besim se së shpejti, me buxhetin e ri të shtetit, presin të parashikohet ngritja e pagës dhe për Teatrin Kombëtar. Kjo letër është firmosur nga 21 artistë të Teatrit Kombëtar.
Top Channel