Proceset gjyqësore kanë mbetur pezull prej tre javësh për shkak të bojkotit të avokatëve që kundërshtojnë hartën e re gjyqësore.

Avokati Ledio Braho, në një intervistë për “Top Talk”, thotë se zëri i avokatëve nuk është marrë seriozisht, ndërsa këmbëngul që bojkoti duhet të vazhdojë.

“Opinioni im është që ne nuk duhet të tërhiqemi nga kjo pa arritur asgjë. Edhe në mbledhjen e fundit pati zëra që thoshin ta ndërpresim bojkotin sepse nuk po arrijmë asgjë.

Kjo është luftë për dinjitet. Edhe dëgjesat që u bënë zere se nuk janë bërë se nuk u morën në konsideratë asgjë. Janë bërë gjashtë tryeza të rrumbullakëta, ku të gjitha Dhomat e Avokatisë vendore ngritën pretendimet e tyre dhe nuk u mor në konsideratë asnjë”.

Braho jep disa propozime konkrete, që përfshijnë mbajtjen e katër Gjykatave të Apelit:

“Ajo që është kërkuar ka qenë me katër Apele, një për Korçën, një për Vlorën që do të përfshijë jugun, Shkodrën dhe Tiranën. Të shkrihet Durrësi dhe Gjirokastra.

Tjetra, që është ngritur dhe dje në Komisionin e Ligjeve, ta pezullojmë hartën dhe të presim çfarë do të bëhet me reformën territoriale. Sot ka një reformë territoriale që është në proces, ndaj më e mira do të ishte që të pritej produkti i reformës territoriale, nga pikëpamja administrative. Kjo do të ishte dhe zgjidhja për hartën gjyqësore”.

Në shenjë proteste, kundër hartës së re gjyqësore që redukton numrin e gjykatave në vend, avokatët u mbledhur sot para Këshillit të Lartë Gjyqësor. Protesta është thirrur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Duke folur për mediet, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia tha se do i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, si hapi i fundit për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore.

“Kemi paraqitur argumente që drejtësia të jetë e realizueshme dhe qytetarët të kenë akses në sistemin e drejtësisë. Kemi propozuar variante që janë të realizueshme. Do ta dërgojmë në Kushtetuese, ai është hapi i fundit, jemi juristë”.

Top Channel