Maestro i mesfushës/ I lindur për te Inter, në Itali tregojnë historinë e emigrantit shqiptar!

02/07/2022 10:21

Kristjan Asllanit i mjaftoi një sezon në Serie A për të shfaqur klasin dhe cilësitë që posedon.

“Udhëtimi ka si veti të hapë horizontet dhe të ofrojë mundësi të pamenduara më parë. Në vitin 2004, kur Asllani ishte vetëm 2-vjeç, bëri udhëtimin e tij të parë në jetë teksa familja emigroi nga qyteti i Elbasanit në Buti, një qytet toskan në qendër të Italisë. Pikërisht, në këtë vend të vogël Asllani dhe familja e tij u akomoduan dhe vogëlushi fitoi një theks që edhe sot e identifikon që vjen nga zona e Toskanës. Kur ishte fëmijë, ndodhte shumë rrallë që Asllanin ta shihje pa topin në këmbë, nuk humbiste asnjëherë rastin për të luajtur. Pasioni i tij i madh për futbollin bënë që ai të bashkohej me Butesen në moshën 5-vjeçare.

Futbollistët e vërtetë kanë gjithnjë një cilësi që i dallon nga masa. Në rastin e Asllanit, aftësitë e tij me topin tërhoqën vëmendjen e trajnerëve të skuadrës së të rinjve, ndërsa një e veçantë është fakti që ai përdor të dyja këmbët. Lojtarë të tillë janë shumë të rrallë dhe në moshë të vogël, Asllani çudiste publikun kur godiste goditjet e këndit si me të majtën ashtu edhe me të djathtën. Debutimi i tij me të rinjtë ishte tepër i veçantë, teksa e kurorëzoi atë me një gol fantastik. Një inkursion i gjatë dhe një finalizim fantastik. Puna e madhe e Asllanit e dërgoi atë te Empoli në moshën 10-vjeçare. Prej atij momenti, djaloshi shqiptar nisi të bëhej gjithnjë e më i fortë, ishte një ambient ideal për të nxjerrë në pah lojën e tij.

Por, dukej se Kristjani ishte lindur për të përfunduar te Inter pasi ka pasur shumë koinçidenca gjatë jetës së tij personale dhe profesionale. Ashtu si Inter, edhe Asllani ka datëlindjen më datë 9, ndërsa në sezonin 2020-2021, në kampionatin e të rinjve, Empoli kaloi interin në gjysmëfinale ndërsa në finalen ndaj Atalantës, Asllani shënoi një gol në triumfin 5-3. Por, në këtë pikë, Asllani kishte bërë edhe debutimin me skuadrën e parë në një ndeshje të Kupës së Italisë në vitin 2021 ndaj Napolit. Asllani ishte gati për një sezon si protagonist në vitin 2021-2022, edhe pse e nisi si pjesë e skuadrës së të rinjve ku shënoi tre gola në Youth League.

Por, hapin e madh në skuadrën e parë e bëri me trajnerin Aurelio Andreazzoli i cili i dhuroi shumë besim shqiptarit. Ndeshja e tij e dytë si titullar me Empolin erdhi në Kupën e Italisë, ndaj Inter ku dhuroi një asist për Nedim Bajramin. U shndërrua në një lojtar shumë të rëndësishëm për Empolin dhe golin e parë në Serie A e shënon pikërisht ndaj Inter në San Siro. Pas gjithë këtyre rastësive më në fund Inter dhe Asllani janë bashkuar dhe bëhet në këtë formë lojtari i dytë shqiptar që luan për zikaltërit pas Rey Manaj. Pavarësisht moshës së re, Asllani ka bërë edhe debutimin me kombëtaren e Shqipërisë ndërsa tashmë kërkon t’i japë një impakt të ri klubit dhe të tregojë sa shumë është rritur”.

Top Channel