Pak orë përpara nisjes për në Oranë ku do të merrte pjesë në Lojërat Mesdhetare, Evangjeli Veli rezulton pozitive në testin PCR të Covid.

Një lajm i keq për të dhe vendin tonë që humbet një tjetër sportiste mesaliste për këto lojëra pas Briken Caljes dhe Izmir Smajlajt.

Rrugës drejt apartamentit të saj ku do të karantinohet peshëngritësja shqiptare rrëfen për Top Channel ngjarjen e papritur.

“Shkova të bëja testin si të gjithë sportistët dhe rezultova pozitive, kjo është hera e tretë për mua që rezultoj pozitive. U habita pasi në dy herët më parë e kam kaluar shumë keq ndërkohë që sot nuk kam asnjë shenjë, nuk ndjej asgjë. Jam shumë mirë për këtë arsye kërkova të ritestohem por më thanë është e pamundur sepse hidhen rezultatet ne sistem”, tha peshëngritësja Evangjeli Veli.

Sportistja shqiptare është nisur aktualisht drejt Greqisë aty ku edhe jeton për t’u karantinuar.

“Po shkoj në Greqi në shtëpinë time sepse nuk doja te shkoja tek prindërit t’i rrezikoja edhe ata të vaksinuar janë por edhe unë kam dy vaksina Pfizer”, tha Evangjeli Veli.

Pas Caljes dhe Smajlajt Veli është sportistja e tretë që privon Shqipërinë nga medaljet në Lojërat Mesdhetare të Algjerisë.

“Më vjen keq sepse ishte një mundësi e mirë nuk mund të them me siguri se do të merrja medalje pasi gara është garë por kisha pretendime për zonën e medaljes. Por tani ca të bëjmë shëndeti përpara”, shtoi më tej ajo.

Evangjeli Veli një muaj më parë arriti të marrë dy medalje ari dhe një argjendi në Kampionatin Europian të zhvilluar në Tiranë, aktivitet ku mori edhe trofeun e sportistes më të mirë.

Top Channel