Tirana përgatit goditjen e bujshme, synohet firma me mesfushorin e Kombëtares

26/06/2022 21:29

Tirana ka mbyllur përgatitjet në tokën turke dhe gjatë ditës së nesërme pritet të rikthehet në kryeqytet, ku do të vijojë stërvitjen, në kuadër të ndeshjes së turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ndaj luksemburgasve të Dudelange.

Krahas punës në fushë, edhe drejtuesit e klubit po lëvizin në merkato, me synimin për të përforcuar edhe më shumë organikën e trajnerit Orges Shehi, kryesisht me futbollistë me eksperiencë në arenën ndërkombëtare.

SuperSport mëson se strategjia e bardhebluve është të afrojnë futbollistë që kanë qenë apo janë aktualisht pjesë e kombëtares shqiptare dhe që kanë eksperiencë të konsiderueshme në nivele të larta.

Një ndër emrat në krye të listës është padyshim edhe mesfushori Emanuele Ndoj, i cili është në pronësi të Brescias, por ka humbur jo pak terren në hierarkinë e formacionit dhe sezonin që lamë pas nuk luajti fare me Cosenzën, ku ishte në huazim, për shkak të një dëmtimi.

Sipas SuperSport mesfushori 25-vjeçar numëron 4 ndeshje me fanellën kuqezi të Shqipërisë, plot 18 ndeshje në Serinë A italiane dhe dhjetëra të tjera në Serinë B, teksa Tirana do të ishte një trampolinë mjaft e mirë, për ta lancuar sërish drejt niveleve të larta.

Nga ana tjetër, edhe bardheblutë do të përfitonin jo pak nga eksperienca dhe cilësitë e Ndojit, për të përforcuar edhe më shumë ekipin me synimin për të arritur në grupet e kompeticioneve europiane, ndaj edhe kanë nisur kontaktet, për ta bindur të transferohet në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA