Deputeti Gazment Bardhi gjatë një interviste për gazetarin Sokol Balla në Top Story e cilësoi një plaçkë ne duart e kryeministrit Edi Rama ligjin për investimet strategjike.
Ai theksoi se nuk është vetëm rasti “Xhaçka”, por ka edhe raste të tjera që pritet të bëhen publike.
“Ai ligj është shndërruar në një plaçkë, ka raste edhe më të rënda se sa rasti i Xhaçkës, tipike indicie për korrupsion. Një kompani e cila aplikon i refuzohet kërkesa, pas disa ditësh bashkëpunon me një kompani tjetër pas së cilës qëndron e njëjta kërkesë me të njëjtat dokumentacione dhe pranohet nga investimet”, tha Bardhi.
Sipas tij, nga këto investime përfiton vetëm një grusht prej shtatë apo tetë personash në kurriz të shqiptarëve.
“Shqipëria ka nevojë, parlamenti ka nevojë në funksion të llogaridhënies që të ngrejë një komision të posaçëm dhe opinion publik ta kuptojë se si është kthyer si plaçkë në dorë të kryeministrit për një grup, 7 apo 8 individë që ka përfituar nga këto procedura, kur synimi ishte të thithte investitorë të huaj, kur ka zero investitorë të huaj. Por kryeministri në gjithë këtë kohë i jep të gjitha pa garë, projekte, koncesione pa garë”, shtoi Bardhi.
Më parë Bardhi dha rastin e bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ku sipas tij, ai ngriti kompaninë pesë ditë pasi hyri në fuqi ligji për investimet strategjike.
“Është një aksion i nisur që në datën 4 maj me ngritjen e një komisioni të posaçëm, dua të them që ligji për investimet strategjike është kthyer në abuzim me shqiptarët, rasti më flagrant është ai i Xhaçkës, se të tjera do të bëhen publike në ditët në vijim, është rasti i familjes së ministres Olta Xhaçka. Ata e kanë të ndaluar të përfitojnë, nuk lejohet të ketë kompani private, por pesë ditë pasi ka hyrë në fuqi ligji, bashkëshorti i Olta Xhaçkës ka krijuar një kompani me veprimtari hoteleri turizëm. Bashkëshorti ka përfituar edhe të drejtën për të përdorur plazhin rreth pronës ku do të bëjë investimin për 30 vite. Pasi ka marrë firmën e Edi Ramës ka bërë ca veprime fiktive për të treguar se nuk është ai që qëndron pas kësaj. Kjo është bërë në shkelje të ligjit, Edi Rama si kryeministër por edhe si kryetar kishte detyrimin për të reaguar, por në këtë rast kryeministri ka kryer shpërdorim detyre, ndërkohë që për ministren Xhaçka ajo ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit. Procedura duhet të nisë pa vonesa. Ajo që kanë hedhur poshtë socialistët është një kërkesë e jona për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike. U rrëzua me argumentin se s’do të jetë i posaçëm por hetimor”, u shpreh Bardhi.
Deputeti Gazment Bardhi në emër të Grupit Parlamentar të PD ka depozituar sot në SPAK një kallëzim penal kundër Kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre, pasi sipas tyre ka dhënë padrejtësisht statusin e investitorit strategjik për bashkëshortin e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.
Një ditë më parë, demokratët kërkojnë t’i hiqet mandati i deputetes ministres Olta Xhaçka. Në mocionin e grupit nismëtar të udhëhequr nga Gazment Bardhi të nënshkruar nga 14 deputet demokrat pretendohet se ministrja Xhaçka është në shkelje te mandatit pasi bashkëshorti i saj, ka përfituar statusin e investitorit strategjik në shkelje të Kushtetutës.
Top Channel