“Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë”, Berisha në Strasburg: Është jetike një qëndrim ndërkombëtar për të shpëtuar kombin

29/09/2026 20:35

Nga Strasburgu, ku mbajti fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi një qëndrim ndërkombëtar, për atë që vetë lideri i opozitës e quan “narkoshtet”, duke iu referuar qeverisjes socialiste të Edi Ramës.

Berisha e akuzoi kundërshtarin e tij politik për largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa. Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë. Është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin”.

Në fjalën e tij, kreu i opozitës vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në liritë dhe zhvillimin kulturor të vendit.

“Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë. Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim. Justin Gast, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “zbrazje demokratike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda”.

Fjala e Sali Berishës në Strasburg u mbajt në kuadër të diskutimeve mbi rolin e diasporave dhe migrantëve në zhvillimin e kohezionit social dhe angazhimit demokratik.

Top Channel