Veliaj mungoi në mbledhje, por emri i tij shkaktoi përplasje në Këshill: Kush vendos dhe kush firmos në Bashkinë e Tiranës?

29/09/2026 19:50

SPAK nuk e lejoi Erion Veliajn që të merrte pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, por pavarësisht kësaj, emri i kryebashkiakut u kthye në objekt debati mes këshilltarëve opozitarë dhe atyre socialistë.

Pyetja e vetme për të cilën këshilltarët opozitarë kërkonin përgjigje ishte: Kush e drejton sot bashkinë më të madhe në vend?

Ilda Zhulali: Kush e drejton sot Bashkinë e Tiranës, kush vendos, kush firmos urdhëra për prokurime, investime, për pagat, për ndihmën sociale? Kush e ka të drejtën e firmës sot në Bashkinë e Tiranës?

Dorjan Teliti: Ju rrofshin diplomat, grisini se nuk keni intelektin të pyesni kush e drejton sot bashkinë, turp që thoni e drejton Veliaj, rezident i burgut të Durrësit.

Këto ndërhyrje për këshilltarin socialist Eridian Salianji ishin të pavenda dhe zgjidhja e halleve të qytetarëve është më e rëndësishme se debati politik.

Eridian Salianji: Të merren masat dhe të vazhdojmë të miratojmë ndihmën ekonomike dhe mos ta kthejmë këtë sallë në një sallë intervistash. Se kush është kryetar bashkie, ai është Erion Veliaj, që e kanë votuar qytetarët e Tiranës.

Opozita: Ai që e shkarkuat ju.

Eridian Salianji: Në emër të grupit socialist kërkoj që, nëse gjatë seancës ndërpritet fjala, të kalojmë në votim. Jemi këtu për të zgjidhur hallet e qytetarëve. Më i rëndësishëm është miratimi i akteve sesa debatet politike.

Pjesë e debateve ishte edhe diskutimi për projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale.

Gjithashtu, u diskutua edhe miratimi i dhënies së titullit të nderit për 4 liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe shpërblimi për zjarrfikësit që janë përballur me situatën e zjarreve.

Top Channel