Kjo godinë e braktisur mban ende të gjallë edhe pas 28 vitesh kujtimin e asaj që njihet si masakra e Peshkëpisë. 2 ushtarakë shqiptarë u ekzekutuan dhe 3 të tjerë u plagosën nga sulmi i një komandoje nacionalistësh grekë 10 Prillin e vitit 1994.
Në hyrje të godinës së vjetër, qëndron kjo pllakatë përkujtimore në nder të dëshmorëve të atdheut, kapitenit të parë Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini. Kjo është historia që dihet dhe flitet prej 3 dekadash. Një histori që mbart mjaft të pathëna rreth rolit të disa shqiptarëve dhe prapaskenat e një sulmi me ide separatiste nga qarqe ekstremiste greke në kurriz të territoreve shqiptare.
Në ditët e sotme, fshati i Peshkëpisë është thuajse i boshatisur. Aty, jetojnë vetëm 6 familje, ndërsa pjesa tjetër, janë në emigracion përtej kufirit, në Greqi. Edhe ata pak banorë që kanë mbetur, e kanë të vështirë të flasin rreth asaj ngjarjeje. Thuajse të gjitha familjet nga ai fshat kufitar kanë pjesëtarë që mbahen nga emigracioni në Greqi. Situata bëhet edhe më e komplikuar për vetë misteret e ngjarjes. Dyshimet për implikimin e vendasve dhe raportet me bashkëfshatarë të minoritetit I kanë vendosur shpesh nën presion banorët që nuk guxojnë të flasin para kamerave.
“Miniroteti, quhet sikur ky vend është i tyre, po ky nuk është i tyre, është i imi, e ka vënë Ismai Qemali këtë, ata janë të ardhur,. Unë quhem e huaj në vendin tim, këtë se përballoj dot, po duke pasur fëmijët në Greqi ne bëhemi me zemër” u shpreh një banore
Ishte ora 2:30 duke gdhirë data 10 Prill 1994. Disa persona të armatosur, kaluan ilegalisht kufirin me Greqinë dhe u futën plot 4 kilometër në thellësi të territorit shqiptar. Objektivi i tyre ishte sulmi ndaj Repartit të Qendrës së Stërvitjes së Policisë Kufitare në Peshkëpinë e Sipërme. Në dosjen hetimore që Inside Story e disponon të plotë dhe bëhet publike për herë të parë, thuhet se ishin të paktën 7 persona të armatosur. Në fakt, hetimet e reja të nisura në vitin 2019, pas 25 vitesh pa autor për ngjarjen, zbuluan një numër shumë më të madh të dyshuarish.
“Pasi janë marë dëshmitë e reja u kuptua që nuk ka qenë rreth aq i ngushtë personash, aq më tepër duke pasur në konsdieratë intensitetin e sulmit nuk mund të ndodhte që të kryhej nga një reth aq i ngushtë perosnash”
Në hetimet e reja u firmos nga ish-prokurori Beçi marrja si të pandehur për 19 persona që nuk ishin pjesë e hetimeve të nisura në vitin 1994. Referuar këtij dokumenti sekret, bëhet fjalë për shtetas kryesisht nga Jugu i Shqipërisë me shtetësi shqiptare që e identifikojnë veten me kombësi greke.
“Ka pasur bashkëpunim nga persona brenda fshatit që aritën të futej grupt rej 7 personash të repartit ushtarak” u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror i çështjes.
Top Channel