Të hënën Rusia do të festojë Ditën e Fitores, me një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës.
Vladimir Putin duket se po shpreson të përdorë festën vjetore – e cila përkujton Fitoren Sovjetike mbi Gjermaninë Naziste në 1945 – për t’i paraqitur popullit rus një fitore të tijën në Ukrainë, por pushtimi nuk ka shkuar sipas planit. Dhe pavarësisht nga fjalimi që do të bëjë lideri rus nesër, lufta e tij nuk mund të quhet e fituar në asnjë aspekt – shkruan analisti i mbrojtjes Michael Clarke.
Brenda dy muajsh, Kremlini ka kaluar me shpejtësi nga Plani A në Planin C – dhe edhe nëse rusët tani kanë sukses të pushtojnë të gjithë Donbasin dhe gjithë jugun, ata ende duhet t’i mbajnë ato territore për një të ardhme të pacaktuar përballë disa milionë ukrainas që nuk i duan ata atje. Në një mënyrë apo tjetër, Rusisë do t’i duhet të vazhdojë të luftojë në Ukrainë, ose kundër popullsisë, ose kundër ushtrisë ukrainase, dhe me shumë mundësi të dyja njëkohësisht.
Ndërkohë fuqitë perëndimore do të vazhdojnë të furnizojnë me armë dhe para Kievin dhe nuk do të heqin sanksionet e fuqishme ndaj Rusisë së shpejti. Sapo varësia energjetike e Evropës nga ajo të pakësohet në masë të madhe, SHBA dhe Evropa do të jenë në gjendje të lënë në fuqi sanksionet gjymtuese me kosto të vogël për ekonomitë e tyre. Nuk ka rrugë kthimi për Vladimir Putinin personalisht dhe ai madje mund të akuzohet si kriminel lufte. Strategjia e tij e vetme politike është ta shndërrojë luftën në Ukrainë në diçka tjetër – pjesë e një lufte për mbijetesën e Rusisë kundër “nazistëve” dhe “imperialistëve” të Perëndimit.
Kjo është arsyeja pse i përshtatet atij të luajë me idenë e rrezikshme se Rusia po përballet me një “Luftë të Madhe Patriotike 2.0” me pjesën tjetër të Evropës. Ndoshta do të dëgjojmë shumë më tepër për këtë në Ditën e Fitores. Presidenti Putin do të pretendojë të shohë dritë në fund të një tuneli shumë të errët dhe të gjatë në të cilin ai ka drejtuar vendin e tij.
Top Channel