Më i miri i ndeshjes, Bernardo Silva: Sa keq që s’e “vramë” Realin, tifozët të ndihen krenar

27/04/2022 09:46

Manchester City dhe Real Madrid dhuruan spektakël në gjysmëfinalen e parë të Champions League. 4-3 fituan kampionët në fuqi të Anglisë në një ndeshje të çmendur dhe plot emocione.

Beteja e radhës do të zhvillohet më 4 maj në “Santiago Bernabeu”. Bernardo Silva, i cili realizoi golin e katërt më ekipin e Pep Guardiolës, u zgjodh më i miri i ndeshjes që prodhoi 7 gola.

27-vjeçari vlerësoi triumfin dhe lojën e shokëve të tij, por ndjen keqardhje për rastet e shumta të humbura, që nëse do të ishin kthyer në gola do t’i dhuronin Cityt më shumë qetësi për sfidën e kthimit.

“Në 20 minutat e para ishim fantastikë sa i përket kontrollit të ndeshjes dhe dominimit që po bënim. Gjatë ndeshjes u krijua ndjesia sikur do të fitonim më thellë, por humbëm disa raste.

Nuk ia dolëm të përfitonim nga fakti që u gjendëm disa herë në avantazh të dyfishtë, por kjo është Champions League. Mos të harrojmë që përballë kishim një nga ekipet më të forta në botë.

Ishin vetëm 90 minutat e para, fituam ne, por na presin 90 minuta edhe më të vështira. Zhvilluam një ndeshje të mrekullueshme, kështu që tifozët duhet të jenë krenarë për ne”, theksoi Bernardo Silva.

Top Channel