Probleme për Kukësin, 6 mungesa per ndeshjen me Teutën

26/04/2022 16:47

Festimet e impiantit të ri, kanë përfunduar me Kukësin që i duhet të mendojë të rikthehet sa më shpejt te fitorja për t’ju përgjigjur edhe në fushë investimit madhor me një kualifikim në kompeticionet europiane, që përveç suksesit sportiv mund të garantojë edhe të ardhura të nevojshme për të ndërtuar një skuadër fituese për sezonin e ardhshëm.

Vetëm 1 fitore në 10 ndeshjet e fundit, është një statistikë që lëndon për formacionin e Diego Longos, që po vuan në pjesën finale të këtij edicioni që e kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani oreksi i ndjekësve në klasifikim është rritur ndjeshëm, me Partizanin, Vllazninë e madje dhe Kastriotin që në javët e mbetura mund të kërcënojnë dhe “verilindorëve” ju duhet të rikthehen sa më shpejt të 3 pikët për të mos kompromentuar sezonin. Fundjava e ardhshme i shikon të impenjuar në transfertën me Teutën, një sfidë që për teknikun italian Longo sjell dhimbje koke ekstra për sa i përket formacionit.

Barazimi me Laçin në sfidën debutuese në shtëpinë e re ka pasur një bilanc të rëndë për Kukësin, kjo pasi janë ndëshkuar me kartonë të verdhë Bruno Lulaj, Shqipërim Taipi dhe Vitor Feiao, (12′, 31′, 53′) me të tre futbollistët që në këtë mënyrë kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të jenë në sfidën me Teutën. Një telash më shumë për trajnerin në një përballje të rëndësishme duke qenë se trajnerit i duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e Shkurtaj dhe Puntus që janë të dëmtuar, ndërkohë që edhe portieri Tafas e ka mbyllur prej disa javësh sezonin./Supersport

 

Top Channel