Roma nuk njeh humbje në kampionat që prej muajit janar ndaj Juventusit, teksa pasditen e sotme e pret një transfertë e vështirë si ajo ndaj Interit në “San Siro”.
Bëhet fjalë për një ndeshje të veçantë edhe për Jose Mourinhon, që ka një të shkuar të artë me zikaltrit, të cilët do të mbushin sërish shkallët e stadiumit, ashtu si ndaj Milanit në mesjavë.
Megjithatë për këtë transfertë Mourinho nuk do të ketë në dispozicion dy prej titullarëve të muajve të fundit, sulmuesin Nicolo Zaniolo dhe mesfushorin Bryan Cristante, të cilët nuk kanë udhëtuar me skuadrën drejt Milanos.
I pari ka plotësuar numrin e kartonëve pas ndëshkimit në Napoli fundjavën e kaluar, ndërsa Cristante ka një dëmtim të lehtë dhe nuk mund të luajë, megjithatë Mourinho do të provojë të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë, për të mos lëshuar terren në garën për një vend në zonën europiane të renditjes./supersport
Top Channel