Me të mbërritur në Elbasan atletët ukrainas kanë nisur menjëherë stërvitjen në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”.
Një ekip prej 10 personash, trajnerë dhe sportistë në disiplina të ndryshme sportive, nuk kanë nguruar as nga moti me shi për të vijuar seancat e tyre normale stërvitore, për të rikuperuar edhe kohën e humbur. Për 17 vjeçaren Maria Larina, e cila ushtrohet në disiplinës e hedhjes së gjyles stërvitja është shumë e rëndësishme pasi kampionatet janë afër.
Maria Larina: Është shumë e rëndësishme të vijojmë stërvitjen sepse unë jam pjesë e Ekipit Kombëtar të Ukrainës dhe ne kemi nevojë të vazhdojmë stërvitjen sepse sezoni i garave po afron dhe ne duhet të përgatitemi për Kampionatin Botëror dhe atë Europian.
Por Maria ka lënë pas familjen dhe vendin e saj. Dëshira e vetme është të kthehet atje dhe kjo luftë të mbarojë.
Maria Larina: Ne duhet të kthehemi në shtëpi. Ne duhet ta ndalojmë këtë luftë sepse shumë njerëz po humbin jetën dhe është shumë e tmerrshme, e rrezikshme. Por edhe nëse duhet të stërvitemi ne duhet të kthehemi ne Ukrainë.
Sport klub Elbasani ndërkohë i ka krijuar kushtet për një stërvitje sa më komode, por duke u kujdesur edhe për anën sociale të këtyre të rinjve që vijnë nga trauma të mëdha.
Elbasani është bërë qyteti i parë në vend që mirëpret sportistë ukrainas që i largohen luftës, të cilët do të qëndrojnë në këtë qytet për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
Top Channel