32 ditë luftë! Nesër raundi i radhës i bisedimeve, Zelensky tregon për shkatërrimet te mediet ruse: Gati të diskutojmë dhe për statusin vend neutral

27/03/2022 20:00

Në ditën e 32-të të luftës, ofensiva e Rusisë në Ukrainë ka ngecur, ndërkohë që sipas ushtrisë ukrainase, njësitë ruse po tërhiqen nga veriu i Ukrainës drejt Bjellorusisë, aleat i Rusisë, për t’u furnizuar.

Vetëm në Kiev në 24 orët e fundit bëhet me dije nga administrata rajonale ushtarake e Kievit në Telegram se janë regjistruar mbi 30 bombardime.

Ndërkohë, ministria e brendshme ukrainase ka denoncuar për herë të parë përdorimin e bombave thërrmuese, të cilat janë të paligjshme si armë. Ato pretendohet se janë përdorur në sulmin e forcave ruse në Krasnohorivka, në rajonin e Donetsk, mbi objekte civile.

Gjithashtu rreth impiantit bërthamor të Çernobillit të pushtuar nga rusët, raportohet të jenë më shumë se 31 vatra zjarri, ndërsa nivelet e rrezatimit radioaktiv janë rritur.

Presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky i ka kërkuar Perëndimit të rrisë furnizimet ushtarake për vendin e tij. Ai tha se nuk ishte vetëm Ukraina në rrezik dhe vetëm 1% e tankeve dhe avionëve të NATO-s nevojiten për të ndihmuar forcat e tij të luftojnë Rusinë. Ndërkohë ditën e nesërme do të zhvillohet raundi i radhës i bisedimeve ballë për ballë midis Ukrainës dhe Rusisë të cilat do të zhvillohen në Turqi më 28 dhe parashikohet të zgjasin deri më 30 mars.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se ishte e shqetësuar për presionet me të cilat po përballet stafi i termocentralit të Çernobilit, pasi nuk ka pasur asnjë rotacion të stafit për gati një javë.

Më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina.

Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për dy korridore humanitare për të evakuuar civilët duke përfshirë edhe ukrainasit që largohen me makina private nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Ukraina ka zmbrapsur shtatë sulme në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk, sipas forcave të armatosura të vendit.

Ukraina tha se Rusia ka filluar të shkatërrojë depot e karburantit dhe ushqimit. Qyteti Chernihiv ka 44 persona të plagosur rëndë, duke përfshirë tre fëmijë, të cilët nuk mund të evakuoheshin për t’u trajtuar.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Lviv, qyteti  në perëndim të Ukrainës jo shumë larg kufirit polak dhe kryetari i qytetit tha se ai mendon se sulmet ajrore ruse kishin për qëllim t’i dërgonin një mesazh Bidenit. Lviv është bërë një strehë e sigurt për ukrainasit që ikin nga konflikti.

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha presidenti amerikan Joe Biden për homologun e tij rus Vladimir Putin gjatë një fjalimi në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë. Ndërsa Kremlini tha se nuk i takon Bidenit të vendoste se kush e qeveris Rusinë.

20:11 Rekord bombash në Kiev! Ukraina rapoton ditën me më shumë goditje nga Rusia

Raportohet se kjo e diel ka pasur edhe një rekord sa i përket numrit të bombardimeve. Në Kiev në 24 orët e fundit bëhet me dije nga administrata rajonale ushtarake e Kievit në Telegram se janë regjistruar mbi 30 bombardime.

21:39 Zelensky flet për mediet ruse: Ukraina e përgatitur për statusit e vendit neutral, për hir të paqes!

Si pjesë e marrëveshjes së paqes me Rusinë, Ukraina është e përgatitur të diskutojë miratimin e një statusi neutral, por që të garantohet nga palët e treta dhe të vendoset në një referendum. Kështu u shpreh presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për mediet ruse.

19:15 “Putin është kasap, s’mund të qëndrojë në pushtet”, Blinken sqaron deklaratën e Bidenit

Unë mendoj se Presidenti theksoi se, thjesht, presidenti Putin nuk mund të fuqizohet më tepër duke zhvilluar luftëra të reja ose t’i japë vetes pushtetin për tu përfshirë në agresion kundër Ukrainës apo dikujt tjetër”, tha sekretari i shtetit Anthony Blniken nga Izraeli, për deklaratën e Bidenit se “Putin është një kasap, cili nuk mund të qëndronte më në pushtet”.

17:34 Bisedimet Rusi-Ukrainë, nesër mbahet raundi i radhës

Ditën e nesërme do të zhvillohet raundi i radhës i bisedimeve ballë për ballë midis Ukrainës dhe Rusisë. Negociatori Ukrainas David Arakhamia, bën me dije se bisedimet do të zhvillohen në Turqi më 28 dhe parashikohet të zgjasin deri më 30 mars.

 17:22 OKB: Numri i viktimave te civilëve ukrainas ka arritur në 1.119

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar ditën e sotme se ka arritur në 1.119 numri i civilëve të vrarë deri më tani, dhe 1.790 të tjerë janë plagosur që kur Rusia nisi me sulemt në Ukrainë. Në mesin e të vdekurve ishin gjithashtu edhe 15 vajza dhe 32 djem të rinj si dhe 52 fëmijë, gjinia e të cilëve ende nuk është përcaktuar. Këto shifra i referohen periudhës mes 24 shkurtit dhe 26 marsit.

17:01 Ndryshim taktike apo mesazh për Biden? Përse Putin sulmoi Lviv

Presidenti i SHBA Joe Biden ishte duke vizituar Poloninë në kohën e sulmit . Dhe ndonëse jo rreptësisht aq afër – padyshim mund të shihet si një mesazh që ‘nuk kemi mbaruar. Një tjetër mundësi është që shtypi botëror të jetë në Lviv. Ne kemi parë raporte që na tregojnë sesi njerëzit e qytetit po e kalojnë jetën e tyre si zakonisht. Mund të ishte një mënyrë për t’u thënë atyre se nuk janë të sigurt. Rusia gjithashtu mund të kishte vënë në shënjestër vende strategjike që mund të mos kenë një ndikim në përpjekjet luftarake të Ukrainës menjëherë – por ndoshta në një moment poshtë vijës.”

15:40 Arrestohen dy persona në Lviv, dyshohet se ndanin sekrete ushtarake me Rusinë

Kreu i Administratës Ushtarake Rajonale në Lviv, Maksym Kozytskyi, ka bërë me dije se janë arrestuar dy persona të dyshuar për ndarjen e informacioneve sekrete të ushtrisë me Rusinë. Kozytskyi tha se policia që shkoi në skenën e një sulmi me raketa arrestoi një burrë që dyshohet se po filmonte momentin e fluturimit të raketës dhe tha se policia gjeti gjithashtu foto të pikave të kontrollit në rajon që ishin dërguar në numrat rusë.

15:23 Blinken në Jeruzalem: Përpjekjet e Izraelit për ndërmjetësim janë të koordinuara me Uashingtonin

Sekretari i Shtretit Anthony Blinken i ka përshkruar përpjekjet e Izraelit për të ndërmjetësuar dhe për ti dhënë fund konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, si të rëndësishme dhe të koordinuara ngushtë me Uashingtonin.

 15:03 Kush janë gjeneralët e vrarë rus, ç’do të thotë vdekja e tyre për luftën e Kremlinit?

Të paktën 12 gjeneralë rus raportohet se janë vrarë në luftimet në Ukrainë, megjithëse Kremlini konfirmon se vetëm gjysma e tyre kanë humbur jetën.

14:39 Papa Françesku: Kafshëria e luftës barbare duhet të ndalet

Papa Françesku tha ditën e sotme gjatë meshës të së dielës në sheshin e Shën Pjetrit, se kërcënimi i një konflikti global nga pushtimi rus i Ukrainës duhet të bindë të gjithë njerëzimin se ka ardhur koha që të shfuqizojë luftën përpara se lufta të shfuqizojë të gjithë njerëzimin.

14:12 Turqia ‘luan me dy porta’: Nuk duhet të prishim marrëdhëniet me Moskën

Zëdhënësi i Presidencës turke Ibrahim Kalin, tha në një deklaratë ditën e sotme se Turqia dhe çdo vend tjetër duhet të ndihmojë Ukrainën dhe ti ofrojë më shumë mbështetje Kievit, por jo të prishin marrëdhëniet me Rusinë. Sipas tij nëse të gjitha vendet prishin marrëdhëniet me Rusinë, atëherë nuk ka se kush të bisedojë me të për të në mënyrë që të arrihen negociatat.

13:55 Presidenti i Gjermanisë organizon koncert solidariteti për Ukrainën, marrin pjesë muzikantë rus

Presidenti i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier, ka organizuar ditën e sotme një ‘koncert solidariteti’ për Ukrainën, ku kanë marrë pjesë muzikantë nga Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina. Në pallatin presidencial Bellevue, u luajtën pjesë të kompozitorëve ukrainas, rus dhe bjellorus. Të gjithë koncertin e organizuar nga vetë ai, presidenti gjerman e ndoqi me video live, pasi ishte pozitiv me Covid dhe nuk mund të ishte i pranishëm në sallë.

13:31 Pamje të trishta nga Lviv, qytetarët strehohen nën tokë

Pamje të trishta vijnë nga qyteti Lviv në Ukrainë, pas shpërthimeve të mëdha, ku shumë persona kanë gjetur strehë pak më të sigurt nën tokë. Pas shpërthimeve të njëpasnjëshme, që vazhdojnë të godasin popullsinë ukrainase nga Chernihiv dhe Kharkiv në veri deri në Mariupol në jug, autoritetet ukrainase kanë bërë me dije se nuk i besojnë më deklaratave të bëra nga qeveria ruse.

13:12 Rusia përqendron forcat në lindje të Ukrainës, ushtria lokale në kundërsulm

Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar , tha në një deklaratë ditën e sotme, se Rusia po përqendron forcat në Lindje, ndërsa kundërsulmet lokale po pengojnë përparimin. Fusha e betejës në veri të Ukrainës vijon të mbetet statike, por trupat ruse po përqendrojnë përpjekjet e tyre në rrethimin e forcave ukrainase në lindje.

12:39 Inteligjenca ukrainase: Rusia po përpiqet të na ndajë dysh

Shefi i inteligjencës së Ukrainës Kyrylo Budanov, ka bërë me dije ditën e sotme, se Rusia po përpiqet ta ndajë Ukrainën në dysh. Sipas tij kjo gjë po ndodh sepse Rusia synon të krijojë një rajon të kontrolluar nga Moska, pasi dështoi ta marrë në kontroll të gjithë vendin.

12:14 “Na duhen tanke dhe avionë”, Zelensky-Perëndimit: Nga se keni frikë?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i është drejtuar edhe njëherë për ndihmë perëndimit duke i kërkuar që të furnizojë me më shumë tanke dhe avionë vendin e tij. Zelensky pyeti drejt për drejt perëndimin se përse ka frikë nga Moska.

12:04 “Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet”/ Shtëpia e Bardhë sqaron deklaratën e Biden

Presidenti amerikan Joe Biden bëri bujë me deklaratën e tij të shtunën teksa mbyllte vizitën e tij dy ditore në Poloni , kur tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë më në pushtet.

12:02 Ukraina shkatërron tanket e rusëve, rimarrin kontrollin në disa zona

Dy korridore humanitare për evakuimin e civilëve janë rënë dakord të hapën të dielën të Ukrainë, ka njoftuar zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, përfshirë edhe atë nga Mariupol.

11:44 Ukraina eksporton drithërat e para me tren në Evropë

Tregtarët kanë eksportuar furnizimet e para të misrit ukrainas në Evropë me tren pasi portet detare të vendit mbeten të bllokuara për shkak të pushtimit rus, tha të dielën konsulenca bujqësore (APK Inform).

11:34 Ministria ruse: Lviv u godit me raketa precize

Rusia goditi objektivat ushtarake në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, me raketa me precizion të lartë, tha të dielën Ministria ruse e Mbrojtjes. Rusia goditi një depo karburanti që përdorej nga forcat ukrainase pranë Lvivit me raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur një fabrikë në qytet që po përdorej për të riparuar sistemet kundërajrore, dhe stacionet e radarëve, tha ministria.

11:00 Shansi për paqe në Ukrainë ende larg

Paralelisht me sulmet dhe bombardimet në Ukrainë, Rusia është duke zhvilluar edhe një proces negociatash me Kievin – me sa thuhet, për t’i dhënë fund luftës që ka nisur vetë. Rundi i parë i bisedimeve është mbajtur më 28 shkurt, katër ditë pasi shteti rus ka nisur pushtimin e paprovokuar të fqinjit të tij.

10:26 Ukrainasi sfidon Rusinë me art, pikturon pranë barrikadave antitank në Odesa

Një artist ukrainas i quajtur Viktor Oliynik, 67 vjeç vendosi të sfidojë Rusinë me artin e tij. Ai shihet duke pikturuar pranë barrikadave antitank në qendër të qytetit Odesa në Ukrainë.

09:00 Lufta në Ukrainë, dy korridore humanitare këtë të dielë

Dy korridore humanitare janë rënë dakord për këtë të dielë, sipas zëvendëskryeministrit të Ukrainës. Ministrja Iryna Vereshchuk tha se korridoret do të shkojnë nga rajonet e Luhansk dhe Donetsk dhe do të përfshijnë edhe persona që largohen nga Mariupol me makina.

08:30 Zelensky i bën thirrje Perëndimit të furnizojë me armë Ukrainën

Presidenti ukrainas,  Volodymyr Zelensky u ka kërkuar qeverive perëndimore që të furnizojnë vendin e tij me avionë, tanke dhe sisteme të mbrojtjes raketore. Në një fjalim online natën vonë, ai tha se armët e rënda që mund të mbronin lirinë në Evropë po grumbullonin pluhur duke qëndruar në stoqe. Zelensky u ankua se avionët rusë nuk mund të rrëzoheshin me mitralozë.

Top Channel