“Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet”/ Shtëpia e Bardhë sqaron deklaratën e Biden

27/03/2022 12:04

Presidenti amerikan Joe Biden bëri bujë me deklaratën e tij të shtunën teksa mbyllte vizitën e tij dy ditore në Poloni , kur tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë më në pushtet.

Biden shtoi se dëshira e Vladimir Putinit për “pushtet absolut” ishte një dështim strategjik për Rusinë dhe një sfidë e drejtpërdrejtë për paqen evropiane që ka mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por menjeherë pas deklaratave të tij shtëpia e bardhë nxitoi të sqaronte se Presidenti Biden nuk po bënte thirrje për një qeveri të re në Rusi. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pohoi se Biden “nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi apo ndryshimin e regjimit”.

Ndërsa Rusia nga ana tjetër i është përgjigjur komenteve të presidentit amerikan, duke thënë se nuk i takon atij të vendosë për këtë çështje. Kjo gjë duhet të mbetet vetëm në zgjedhjen e popullit të Federatës Ruse, tha për CNN zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Komentet e Presidentit Biden në Kështjellën Mbretërore të Varshavës erdhën pas një takimi të tij me refugjatët ukrainas që janë strehuar në kryeqytetin polak, Biden gjithashtu e cilësoi Presidentin rus Putin “kasap”, duke iu referuar asaj që po ndodh në Ukrainë.

Top Channel