Zelensky flet për mediet ruse: Ukraina e përgatitur për statusit e vendit neutral, për hir të paqes!

27/03/2022 21:39

Si pjesë e marrëveshjes së paqes me Rusinë, Ukraina është e përgatitur të diskutojë miratimin e një statusi neutral, por që të garantohet nga palët e treta dhe të vendoset në një referendum.

Kështu u shpreh presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për mediet ruse.

Në intervistën 90 minutëshe, Zelensky foli në rusisht dhe theksoi se pushtimi rus ka shkatërruar qytetet rusishtfolëse në Ukrainë.

Ukraina refuzon të diskutojë kërkesat e tjera ruse, siç është çmilitarizimi i Ukrainës, shton presidenti ukrainas.

Për këtë intervistë që u transmetua në Rusi ka reaguar rregullatori shtetëror rus i medies, Roskomnadzor. Rregullatori paralajmëroi shtypin se nuk duhet të publikojnë intervistën dhe se “ka nisur një hetim për të gjetur përgjegjësit”, ndërkohë që pritet të merret një vendim për këto medie.

Sipas Roskomnadzor, disa nga mediet që zhvilluan intervistën janë “agjentë të huaj” në Rusi.

Më herët, gazeta liberale ruse Meduza njoftoi se kishte intervistuar Zelensky, së bashku me Dozhd TV dhe gazetën ruse Kommersant. Meduza dhe Dozhd janë bllokuar tashmë në Rusi ndërsa Dozhd ka pezulluar të gjitha aktivitetet gazetareske.

Rusia kohët e fundit ka miratuar ligje të reja që kufizojnë mënyrën në të cilën mediat ruse mund të raportojnë për luftën në Ukrainë.

Top Channel