Pas tensioneve të krijuara prej luftës në Ukrainë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për situatën e sigurisë në vend. Kurti tha se qeveria po përgatitet që të mos befasohet nga ndonjë sulm ndaj Kosovës.
Sipas tij, janë identifikuar 10 organizata ekstremiste të djathta serbe që përpiqen ta destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë. Sipas Kurtit, AKI i ka dërguar informacionet e gjetura në Prokurorinë e Shtetit.
“Janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë, të cilat propagandojnë urrejtje, jo vetëm nacionale por edhe fetare, dhe që kanë njëfarë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike… dhe që e kanë një këmbë në Beograd dhe një në Moskë. Janë organizata si 1939 dhe Car Llazari, po i përmend vetëm dy, por ka edhe të tjera”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ka thënë se do të ketë sërish nesër mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
“Kemi shpeshtuar mbledhjet e Këshillit të Sigurisë, ku diskutojmë informacionet më të reja, bëjmë përgatitjet më të reja, sa i përket pajisjeve por edhe vëzhgimeve dhe aktiviteteve. Një takim e kemi edhe nesër”, ka thënë kryeministri në një intervistë për KTV-në.
“Në prapavijë, intensivisht jemi duke u përgatitur që të mos ketë kurrfarë befasie dhe institucionet të jenë të sinkronizuara dhe të jenë të përgatitura ndaj çfarëdo mësymje ndaj Kosovës nga kushdoqoftë”, ka shtuar Kurti.
Top Channel