Presidentja e Kosovës e ktheu për rishqyrtim në Kuvend, çfarë ndodh tani me ligjin për ‘Specialen’?
Me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula ka kthyer për rishqyrtim në kuvend, ligjin e ndryshuar për Dhomat e Specializuara.
Korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami, bën me dije se PDK-ja ishte sponzorizuese e këtyre ndryshimeve dhe kërkesa që të rikthehet ligji ka shkaktuar trazira brenda partisë.
Përparim Gruda, deputetit i PDK-së, përmes së cilit u shtynë përpara ndryshimet ligjore në një reagim tha se “ligji nuk ka asnjë gabim”.
“Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të”, tha deputeti.
Përparim Grudës i ka dhënë mbështetje Adil Behramaj, ish-këshilltari i Hashim Thaçit.
“Je vendosur padrejtësisht në këtë pozitë dhe të ka rëne hise të durosh lloj-lloj pallavrash. Por, mbaje kokën lart dhe ndjehu krenar! Edhe bëhu gati për garë”, ka shkruar Behramaj, duke lënë të kuptohet që Gruda mund të kandidojë për kryetar të PDK-së.
Partia e dytë në Kuvend, dy ditë më parë mbeti pa drejtues, pasi Bedri Hamza dha dorëheqjen dhe PDK-ja po bëhet gati për zgjedhjet e brendshme.
Por kërkesa për kthimin e Ligjit të ndryshuar për Specialen, ka nxitur edhe reagime nga anëtarët e tjerë të partisë. Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kërkoi dorëheqjen e gjithë kryesisë së partisë, duke thënë që me Ushtrinë
Çlirimtare të Kosovës nuk luhet për interesa politike.
“Krejt kryesia e PDK-së duhet të japë dorëheqje sonte, deri në orën 24:00. Këshilli Drejtues duhet të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të provizore, me mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, shkroi Haxhiu në reagimin e tij, pasi PDK-ja kërkoi kthimin e ligjit për rishqyrtim.
Si lojë politike këtë kërkesë të PDK-së e ka parë edhe Adem Grabovci, ish-shef i GP parlamentar i partisë.
“Kush nuk është për beteja të rënda politike, le ta lirojë rrugën. Çlirimtarët nuk janë monedhë për kusure e pazare politike”, ka shkruar ai.
Ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratuan në Kuvend të Kosovës më 6 tetor.
Top Channel