Ligji për Specialen, ekspertët në Kosovë: Ja çfarë pritet tani

09/10/2026 13:45

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte, më 16 shtator.

Por, procesi nuk përfundon me votimin në Kuvend. Ligji duhet të nënshkruhet dhe të shpallet nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, brenda tetë ditësh.

Nëse kjo nuk ndodh, ai konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Ekspertët juridikë theksojnë se ndryshimet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ligji mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese nga palët e autorizuara, përfshirë të paktën dhjetë deputetë dhe Avokatin e Popullit.

Ndryshimet ligjore parashohin kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë, transferimin e rasteve jashtë juridiksionit të saj te institucionet e drejtësisë në Kosovë, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.

Megjithatë, sipas profesorëve dhe ekspertëve të drejtësisë, miratimi i ligjit nuk e detyron automatikisht Gjykatën Speciale t’i zbatojë këto ndryshime.

Funksionimi i saj mbështetet edhe në marrëveshje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian dhe Holandën, të cilat nuk mund të ndryshohen vetëm përmes një ligji të brendshëm.

Çdo transferim i rasteve, provave apo personave, si dhe ekzekutimi i dënimeve në Kosovë, kërkon procedura konkrete dhe respektimin e marrëveshjeve përkatëse.

Për rrjedhojë, ndikimi konkret i ndryshimeve në punën e Gjykatës Speciale dhe në vendimet e saj do të varet nga hyrja në fuqi e ligjit, përmbajtja përfundimtare dhe vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave përkatëse.

Top Channel