Tre ferma të rritjes së shpendëve janë mbyllur në Durrës si rezultat i ngordhjes masive të pulave në to.
Brenda pak ditësh kanë ngordhur mbi 500 000 pula në tre prej pularive më të mëdha që mbulojnë nevojat për vezë e pula të tregut.
Paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për laringotrakeit, një sëmundje infektive me përhapje të shpejtë. Gjithsesi priten rezultatet e analizave për të përcaktuar saktësisht shkakun e kësaj shfarosjeje masive.
Sipas burimeve nga AKU në Durrës, nuk ka vend për panik pasi nuk është provuar që në treg të ketë vezë, produkt të pulave që i përkasin baterive të sëmura dhe të asgjesuara nga autoritetet.
Përgjegjësi për Durrësin i Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë, Darjo Nasho, shprehet se janë në fazë hetimi dhe kontrolli dhe vijojnë të kryejnë analiza të vazhdueshme për të mbajtur të izoluara vatrat. ”Në rast se do të ketë probleme për shëndetin publik do të informohet popullata nga autoritetet.”
Po ashtu, ka dyshime që edhe në qarkun e Korçës ka prekje të gripit të shpendëve, është një rast që është çuar për analiza, thotë Adriatik Skenderasi përgjegjës i sektorit veterinar pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë.
Top Channel