Nga Kharkivi në Vlorë, këto dy familje ukrainase udhëtuan në shumë vende përpara se ta gjenin paqen dhe qetësinë në qytetin bregdetar shqiptar, për të cilin u kishin treguar të afërmit që kaluan pushimet verën e kaluar.
Ivan Shevcenko tregon se bashkë me prindërit i është dashur të udhëtojnë rreth 5 ditë për të ikur nga tmerri I luftës dhe për të mbërritur në Vlorë.
“Kemi nisur udhëtimin prej datës 5 Mars e kaluam në Hungari,Serbi dhe Maqedoni,për të mbërritur në Vlorë,vend të cilin na i rekomandoi një mik i cili më herët ka qenë me pushime këtu”, thotë Ivan Shevcenko.
Bashkë me ata në Vlorë ka mbërritur edhe familja tjetër Katerina Tallash, Anatoli dhe Ludmilla Tallash administronin një biznes në Karkiv. Ata thonë se ikën nga Putini dinak dhe shkaktarin e vërtetë të luftës, të cilin e quajnë edhe Hitleri i dytë.
“Një mik na telefonoi dhe na ofroi siguri këtu. Situata ne Kiev dhe Ukrainë është shumë e vështirë, shumë e frikshme, pothuajse nuk ka mbetur asgjë atje. Miqtë e mi kanë qëndruar në Ukrainë. Edhe unë doja të qëndroja, por mamaja ime nuk largohej pa mua. Unë në Ukrainë jam inxhinier bërthamor. Tani më duhet të gjej një punë dhe të siguroj të ardhura. Por dua të falenderoj shqiptarët dhe miqtë e mi vlonjatë”, thotë Ivani.
Të gjithë sot janë të papunë, strehohen falas në një hotel por thonë se një ditë duan të punojnë në Vlorë. Këto dy familje janë mes 351 ukrainasve që ndodhen në vendin tonë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i tha ambasadorit të Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov se të gjithëve u ofrohet mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin dhe se të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratohen në vijim nëse është e nevojshme.
Shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.
Top Channel