Adriatik Lapaj në Top Talk: Qeveria të mbrojë interesat e popullit, jo të spekulantëve. Të rishikohen taksat mbi karburantin

09/03/2022 21:45

Avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj ishte i ftuar në “Top Talk”, ku foli për rritjen e cmimeve për të cilat tha se njerëzit po e shohin nga nafta dhe ushqimet.

Lapaj tha se lufta sjell pasojat e veta por sipas tij, rritja e çmimeve i sjell shtetit përfitime.

“Ti nuk mund të përfitosh në kohë krize. Unë kuptoj spekulimin që bëhen në bursë, por nuk kuptoj që qeveria e vendit tim të përfitojë mbi spekulimin që bëhet në bursë. Hajde bëhemi njëherë 50.000 në shesh, ti lëmë kafet, bëhemi përnjëherësh edhe flasim bashkë nëse ndryshojnë apo jo”, tha Lapaj.

“Po ta kesh seriozisht fitohen”, u shpreh aktivisti, i cili përmendi disa nga rastet e protestave të bëra për të drejtat e tyre të cilat u finalizuan me fitore.

“Nuk jemi për ta vënë qeverinë me shpatulla pas murit për gjëra që nuk janë në dorë të saj, por jemi që ta ndajmë qeverinë nga spekulantët. Qeveria duhet të bëjë aq sa të ketë mundësi ta kufizojë në kohë sepse janë kriza të përkohshme gjithmonë”, shtoi më tej ai.

Çmimet e karburanteve vazhdojnë të thyejnë rekorde në vend. Të mërkurën, shifra arriti në 260 lekë/litri, ndërsa të gjitha produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.

Pasditen e sotme, qytetarët u ngritën në protesta në qytetet kryesore të vendit. Në kryeqytet ishte pjesëmarrja më e madhe. Nën moton as të majtë, as të djathtë, por popull, qytetarët kërkuan nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe ngrirjen e çmimeve për produktet e shportës.

Protesta u mbyll me ndërhyrjen e policisë pasi qytetarët po bllokonin rrugët duke bindur shoferët që të fiknin makinat, por paralajmëruan se do të jenë edhe nesër para kryeministrisë për të protestuar.

Top Channel