“Perëndimi po merr masa armiqësore”/ Putin urdhëron forcat bërthamore të jenë në gatishmëri. Zelensky thotë se delegacionet do të takohen

27/02/2022 15:25

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij të vendosë forcat e parandalimit bërthamor të vendit në gatishmëri të lartë në përgjigje të “deklaratave agresive” të vendeve të NATO-s.

Urdhri, i cili u njoftua nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass, erdhi në një takim midis Putinit, ministrit të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Rusisë, Valery Gerasimov.

Duke folur në televizionin shtetëror të dielën, ai tha: Siç mund ta shihni, jo vetëm që vendet perëndimore marrin masa armiqësore kundër vendit tonë në dimensionin ekonomik – sanksione të paligjshme për të cilat të gjithë dinë. Por edhe zyrtarët më të lartë të vendeve kryesore të NATO-s po i lejojnë vetes të bëjnë deklarata agresive në lidhje me vendin tonë. Për këtë arsye urdhëroj ministrin e mbrojtjes dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të vendosin forcat parandaluese në detyrë të posaçme luftarake.

Putin ka paralajmëruar vendet e huaja që të mos ndërhyjnë në pushtimin e tij të vazhdueshëm të Ukrainës, duke thënë se kjo mund të çojë në “pasoja që nuk i kanë parë kurrë”. Ai ka pozicionuar raketa anti-ajrore dhe sisteme të tjera raketore të avancuara në Bjellorusi dhe ka vendosur flotën e tij në Detin e Zi në një përpjekje për të parandaluar një ndërhyrje perëndimore në Ukrainë.

Zelensky: Delegacionet ukrainase dhe ruse të takohen pa parakushte!

Nga ana tjetër Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se ka vendosur që delegacionet ukrainase dhe ruse të takohen pa parakushte në kufirin bjellorus.

“Politikanët kanë rënë dakord që delegacioni ukrainas do të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat”, tha zyra e tij.

“Aleksander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit, takimit dhe kthimit të delegacionit ukrainas”.

FOTO GALERI
3/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA