Sot protesta kombëtare/ Studentët nga i gjithë vendi mblidhen në Tiranë, u bashkohen edhe pedagogët, mjekët, artistët e diaspora

24/10/2026 08:15

Kjo e shtunë shënon ditën e 12-të të protestës studentore, ku për sot është thirrur për një tubim kombëtar në kryeqytet. Me këtë protestë janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pjesëmarrje pritet edhe nga studentët e rretheve.

Gjithashtu, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.

Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen nesër në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë.

Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë sot drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.

Gjithashtu në shesh do të mblidhen edhe shqiptarët nga diaspora. Pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të këmbëngulin te kërkesa për dorëheqjen e tij.

Top Channel