Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka folur këtë të diel me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se kërcënimi i një pushtimi rus të Ukrainës mund të ndodhë në ditët në vijim.
Sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Biden i ka thënë Zelenskiyt se SHBA-ja do t’i përgjigjet “me shpejtësi dhe vendosmëri” agresionit të mëtejshëm rus kundër Ukrainës.
Të dy liderët “ranë dakord për rëndësinë për të ndjekur rrugën e diplomacisë”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur frikën e shtuar se presidenti rus Vladimir Putin mund të sulmojë republikën ish-sovjetike në ditët e ardhshme.
Ambasada amerikane në Kiev ka nisur evakuimin e personelit të saj. Krahas kësaj, Departamenti i Shtetit ka lëshuar udhëzime mbi udhëtimet, duke paralajmëruar amerikanët të mos shkojnë në Ukrainë, për shkak të kërcënimeve të shtuara ndërsa ka këshilluar shtetasit amerikanë që ndodhen në këtë vend të largohen menjëherë.
Disa diplomatë amerikanë pritet të zhvendosen në pjesën perëndimore të Ukrainës, një masë që do t’i lejonte SHBA-ve të ruanin një prani diplomatike në këtë vend, raporton VOA.
Përpara bisedës me presidentin amerikan, zoti Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin u takua në fillim të kësaj jave.
Në një deklaratë të Kremlinit në lidhje me telefonatën thuhej se Putin-Macron folën mbi ato që Moska i quan “spekulime provokuese për një sulm të planifikuar rus ndaj Ukrainës. Rusia ka mohuar vazhdimisht se po planifikon veprime ushtarake kundër fqinjit të saj.
Gjatë bisedës zoti Putin i tha zoti Macron se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk i janë përgjigjur në mënyrë të kënaqshme kërkesave ruse që Ukrainës të mos lejohet të anëtarësohet në NATO e që aleanca të tërheqë trupat ushtarake nga Evropa Lindore.
Presidenti Biden ka thënë se ushtria amerikane nuk do të hyjë në Ukrainë në rast lufte, por ai ka thënë se Moska do të përballet me sanksione të ashpra ekonomike, të cilat do të vendosen në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.
Po sot Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.
Në nje deklaratë për shtyp të Departamentit të Shtetit thuhet se gjatë bisedës sekretari Blinken bëri të qartë se rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës mbetet e hapur, por kjo do të kërkonte që Moska të ulte tensionet e të angazhohej në bisedime me mirëbesim. Zoti Blinken përsëriti se nëse Moska ndjek rrugën e agresionit dhe pushton Ukrainën, kjo do të rezultonte në një përgjigje të vendosur, masive dhe të bashkuar, transatlantike.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare më Shtëpisë e Bardhë Jake Sullivan, tha të premten se pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të nisë gjatë Lojrave Olimpike që mbahen në Pekin ose kur ta vendosë zoti Putin.
Shumë analistë kanë thënë se Moska nuk ka gjasa të kryejë ndonjë pushtim përpara Lojërave Olimpike Dimërore që të përfundojnë më 20 shkurt.
Rusia ka dislokuar tashmë mjaftueshëm forca në kufi me Ukrainën për të kryer një operacion të madh ushtarak tha zoti Sullivan, i cili shtoi se Rusia mund të pushtojë pjesë të rëndësishme të territorit të këtij vendi, duke përfshirë kryeqytetin.
Krahas më shumë se 100,000 trupave tokësore që zyrtarët amerikanë thonë se Rusia ka mbledhur përgjatë kufijve lindorë dhe jugorë të Ukrainës, rusët kanë dislokuar raketa, e mjete të tjera ajrore e detare për të mbështetur një luftë të mudshme. Këtë javë, Rusia zhvendosi në Detin e Zi gjashtë anije amfibe sulmi, duke rritur aftësinë e saj për të zbarkuar në bregdet.
Top Channel