Kimete Tanushit është vetëm 40 vjeç por fati e përballi me një sëmundje e cila nuk e lejon që as të qëndrojë në këmbë.
Në këto kushte ajo nuk mund të punoj dhe ka dalë në kemp.
“Unë kam tre vjet që jam në kemp marrë 105 mijë lekë. Shtëpinë e kam me qira nga 105 mijë lekë, mua 5 mijë lekë më teprojnë se 100 mijë i merr ky i shtëpive”, u shpreh Kimete Tanushi, banore e fshatit Shushicë.
Kimetja është e vetme pasi prindërit nuk i jetojnë, ndërsa vëllezërit e kanë braktisur. I vetmi që i qëndron pranë është bashkëshori i saj 60 vjeçar.
“Duhet të shkoj në spital që të kurohem por nuk kam mundësi, vetëm 5 mijë lekë më ngelen. Kurse burri më rri shoqërues. Ai merrte në fillim 50 mijë dhe ja hoqën. Unë kam nevojë të kurohem se kam shumë shqetësime”, u shpreh Kimete Tanushi, banore e fshatit Shushicë.
Komshinjtë e Kimetes janë treguar më bujarë se shteti dhe e ndihmojnë me ushqime dhe veshje.
“Komshinjtë më sjellin bukë dhe bulmet. Edhe për të veshur ata më sjellin, më ndihmojnë”, u shpreh Kimete Tanushi, banore e fshatit Shushicë
Shteti i jep si asistencë sociale vetme 18 mijë lekë të vjetar në muaj. Ato i përdorin për të paguar dritat. Ndërsa ujin kanë shumë kohë që nuk e paguajnë.
Beqiri një burrë rreth të 60-ve është zverdhur në fytyrë nga pesha e halleve. Me gruan e sëmurë, me një mal me borxhe ai nuk di se çfarë të bëj. Mundësia e vetme që I ka ngelur është që të mbledh kanoçe.
“Unë dal dhe mbledh këto kanoçe se unë nuk kam as punë asgjë. Dhe shtëpinë e kam me qira 100 mijë lekë në muaj. Unë kam hyrë në borxhe të mëdha këtu, ndonjë ditë do më therin. Na japin si për sevap si mua si gruas rroba e për të ngrënë. Po ne nuk kemi nevojë vetëm për ato se ne jemi të sëmurë dhe nuk marrim dot ilaçe. Dritat i kam paguar por ujin jo kam 200 mijë lekë pa paguar. Ku të vetë unë ku të mbytem aman se jam 59 po shkoj 60 vjeç”, u shpreh Beqir Tanushi, banor i fshatit Shushicë
Të njëjtin fat me këtë familje kanë edhe shumë të tjera që jetojnë me kemp. Madje disa persona nuk e fitojnë fare statusin e invalidit për shkak të burokracive.
“Doktori më ka nxjerr invalid. I kam dorëzuar dokumentet në komunë më kanë thënë që nuk e përfiton. Jo se diagnoza nuk e përfiton por nuk e përfiton se të mungon një vit pune. Po çfarë të ha i thash unë? Tha do ta kalojmë në sezonin tjetër. Kam shkuar jam interesuar asgjë s’ka dalë”, u shpreh qytetari.
Top Channel