Rindërtimi në Kombinat, Koçiu dhe Demo inspektojnë zonën: Procesi ka hasur vonesa, do ndërtohen 223 apartamente

21/09/2026 10:39

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kanë inspektuar sot zonën e Kombinatit, ku vijon procesi i rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmeti i vitit 2019.

Gjatë inspektimit, Koçiu u ndal te ecuria e procesit dhe numri i apartamenteve që pritet të ndërtohen, duke bërë të ditur se aktualisht janë parashikuar 223 apartamente, ndërsa për 100 të tjera vijon procedura e prokurimit.

Ajo pranoi se procedurat kanë hasur vonesa dhe theksoi se, pas shtatë vitesh nga tërmeti, nevojiten masa për përshpejtimin e procesit dhe zgjidhjen e problematikave të mbetura.

“223 apartamente do të ndërtohen dhe jemi ende në procedurë prokurimi për 100 apartamente të tjera.
Procedura ka nisur, por është e ngadaltë. Duhet të marrim masa ta zgjidhim, sepse kanë kaluar 7 vite”, u shpreh Koçiu.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, tha se fokusi do të jetë te zgjidhja e problematikave që kanë penguar vijimin normal të procesit. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të ndërhyhet edhe përmes financimit, me synim përfundimin sa më të shpejtë të procedurave dhe punimeve.

Demo theksoi se institucionet do të angazhohen për të zgjidhur pengesat e krijuara dhe për të garantuar vijimin e procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit.

“Do fokusohem të zgjidhim gjithë ngërçet. Do të ndërhyjmë edhe me financim për të vijuar dhe përfunduar sa më shpejt këtë procedurë”, tha Demo.

Procesi i rindërtimit në Kombinat është pjesë e projekteve të nisura pas tërmetit të vitit 2019, ndërsa problematikat dhe vonesat në disa prej procedurave kanë bërë që një pjesë e banesave të mos përfundojnë ende, edhe pas disa vitesh.

Sipas deklarimeve të bëra gjatë inspektimit, objektivi është që procedurat e mbetura të përshpejtohen dhe të gjenden zgjidhje për apartamentet që ende janë në proces prokurimi.

Top Channel