Verë edhe në shtator në Vlorë, turistët e huaj zgjasin sezonin, plazhe më të qeta dhe det ende i ngrohtë

21/09/2026 15:27

Sezoni turistik në Vlorë nuk mbyllet me gushtin. Edhe gjatë shtatorit, qyteti vijon të presë një numër të lartë vizitorësh, me turistë të huaj që zgjedhin bregdetin shqiptar për temperaturat më të buta, detin ende të ngrohtë dhe një atmosferë më të qetë.

Këtë periudhë, në Vlorë vërehet prani e turistëve nga Evropa Lindore, ndërsa një pjesë e vizitorëve shprehen se kanë zgjedhur pikërisht shtatorin për të shmangur vapën dhe fluksin e madh të muajve të verës.

“Vij nga Anglia. Kam ardhur disa herë, kam disa familjarë të mitë këtu. Kam marrë edhe shok me vete, jam për herë të parë në jug, më pëlqen shumë, shumë bukur. Kam parë Shkodrën, ka male, natyrë, shumë bukur. Po shkojmë në Karaburun, sepse kam parë fotot në internet të shpellave dhe natyrës”, u shpreh një turist nga Anglia.

“Jemi nga Sllovenia, Lubjana, për herë të parë jemi këtu, kemi ardhur grup. Është shumë, shumë bukur në Vlorë”, u shpreh një turiste nga Sllovenia.

“Vijmë nga Gjermania. Erdhëm në Shqipëri sepse dëgjuam për protestën. U bëmë kuriozë. Tani po shikojmë pak vendin. Është vërtetë shumë bukur”, tha një tjetër turiste nga Gjermania.

“Vij nga Amerika. Kam 6 muaj që po jetoj në Vlorë. Korriku dhe gushti janë shumë nxehtë për mua, shtatori është muaji që bëhet plazh mirë. Deti është i pastër. Më pëlqen uji, diçka që do doja të ishte ndryshe është mundësia për më shumë larmi ushqimesh”, tha një tjetër turiste nga Amerika.

Për tur operatorët, shtatori ka qenë muaj i kënaqshëm. Ata thonë se në këtë periudhë janë të huajt, ata që e shijojnë plazhin më së shumti.
Shtatori duket se po kthehet gjithnjë e më shumë në muajin që zgjat sezonin veror. Për turistët që nuk preferojnë turmat e korrikut dhe gushtit, kjo periudhë ofron më shumë hapësirë në plazhe dhe një ritëm më të qetë pushimesh.

Top Channel