Të rinjtë zgjedhin zanatet, punësohen 65% e maturantëve të Shkollës Industriale “Pavarësia”

21/09/2026 12:44

Në Shkollën Industriale “Pavarësia” në Vlorë, këtë vit është shënuar një interes më i lartë nga të rinjtë krahasuar me një vit më parë.

Regjistrimet vijojnë në të pesë degët që ofron institucioni, ndërsa më e kërkuara mbetet dega e elektroteknikës.

Interesi për këtë profil ka bërë që këtë vit të hapen dy klasa, me nxënës që kanë edhe mesatare të lartë. Një tjetër element që bie në sy është rritja e numrit të vajzave që zgjedhin arsimin profesional, përfshirë edhe degë që tradicionalisht janë konsideruar më të orientuara drejt djemve.

Shkolla Industriale “Pavarësia” ofron në total 22 profesione dhe, sipas drejtuesve të saj, programet mësimore janë të lidhura ngushtë me nevojat reale të tregut të punës. Rreth 65 për qind e maturantëve që përfundojnë Shkollën Industriale “Pavarësia” arrijnë të punësohen në Shqipëri, një tregues që sipas drejtuesve lidhet edhe me rritjen e kërkesës për profesionistë të kualifikuar.

Top Channel