Vendosja e trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës do të thotë se presidenti Vladimir Putin mund të nisë një sulm ndaj vendit fqinj në një kohë të afërt, paralajmëroi të mërkurën Sekretari i Shtetit Anthony Blinken.
Ai mbërriti sot në Kiev për t’u takur me presidentin Volodymyr Zelensky. Sekretari amerikan i Shtetit pritet të takohet me hmologët e tij nga Britania, Franca dhe Gjermania të enjten në Berlin.
Vizita e tij në Ukrainë vjen dy ditë përpara takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Gjenevë në përpjekje për të lehtësuar tensionet rreth Ukrainës.
Në Kiev, diplomati amerikan deklaroi se shpresonte që Rusia do t’i përmbahej rrugës së diplomacisë dhe paqes.
“Ne e dimë se ka plane për të shtuar forcat përgjatë kufirit, por kjo mënyrë nënkupton se Putin po mendon të sulmojë vendin në një kohë të afërt, duke marrë veprime agresive ndaj Ukrainës”, u tha Blinken diplomatëve në ambasadën amerikane në Kiev.
Rusia ka mohuar çdo zë se mund të sulmojë Ukrainën. Por zyrtarët amerikanë mendojnë se Moska mund ta sulmojë në çdo kohë Ukrainën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Saki u tha gazetarëve se grumbullimi i dhjetëra mijëra luftëtarëve rusë pranë kufirit me Ukrainën kishte krijuar një “situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Ajo deklaroi se “të gjitha opsionet janë në tryezë” për të shmangur konfliktin, duke shtuar se “Blinken do ta bëjë të qartë se ka një rrugë diplomatike përpara”.
Top Channel