Përshkallëzohen protestat në Francë, më shumë se 600 të arrestuar nga përplasjet me policinë

01/10/2026 19:58

Protestat e nxënësve në Francë, kundër mungesës së kushteve nëpër shkolla, u përshkallëzuan të enjten në dhunë dhe përplasje të forta me policinë.

Autoritetet franceze njoftuan se kanë ndaluar më shumë se 600 protestues, shumica e të cilëve nxënës, ndërsa dhjetëra policë janë lënduar gjatë përplasjeve të dhunshme.

Autoritetet raportuan gjithashtu se një drejtor shkolle u spërkat me benzinë nga protestuesit, të cilët i vunë zjarrin të paktën dy shkollave. Protestat e nxënësve para gjimnazeve kanë përfshirë mbarë Francën, duke bërë që në disa qytete të pezullohet transporti, ndërsa më shumë se 160 institucione arsimore janë mbyllur.

Nxënësit u ngritën në protesta masive prej disa ditësh kundër mungesës së stafit arsimor, orareve të gjata të mësimit dhe ndërtesave të amortizuara. Të enjten, atyre iu bashkuan edhe studentët, duke bllokuar hyrjet në rreth 30 kampuse universitare, përfshirë ato në Paris dhe në qytetin jugor të Marsejës.

Autoritetet u detyruan të pezullonin shërbimet e autobusëve, tramvajit dhe metrosë në Marsejë e qytete të tjera, për shkak të protestave të dhunshme. Kryeministri Sebastian Lecornu thirri një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar dhe iu kërkoi të gjithë ministrave të anulonin planet e udhëtimeve për ditët në vijim, për shkak të protestave.

Top Channel