Tragjedi në Teksas, nëna vret vajzën 4-vjeçare dhe më pas veten, vetëm disa orë pasi humbi kujdestarinë

03/10/2026 20:11

Një ngjarje tragjike ka tronditur Houstonin, pasi një nënë 35-vjeçare vrau vajzën e saj 4-vjeçare dhe më pas qëlloi veten, vetëm disa orë pasi kishte humbur një betejë ligjore për kujdestarinë e fëmijës.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Cibelle Savella duhej t’ia dorëzonte vajzën e saj, Vivian, ish-bashkëshortit të saj, Aaron Savella, të martën në mbrëmje. Në vend të kësaj, ajo u kthye në shtëpinë e saj në Houston, ku qëlloi për vdekje vajzën dhe më pas veten.

Policia e Houstonit tha se nëna ishte përfshirë në një seancë gjyqësore për kujdestarinë vetëm disa orë përpara ngjarjes.

“U zhvillua një seancë për kujdestarinë më herët gjatë ditës dhe nuk shkoi mirë për nënën. Ajo u kthye në shtëpi, qëlloi vajzën e saj 4-vjeçare dhe më pas veten”, deklaroi togeri i policisë Larry Crowson.

Savella u dërgua fillimisht në spital, por vdiq një ditë më vonë. 35-vjeçarja, e cila ishte me origjinë nga Brazili, ishte divorcuar nga Aaron në nëntor të vitit 2024, pas rreth katër vitesh martesë. Që prej atëherë, të dy ishin përfshirë në një betejë të ashpër ligjore për kujdestarinë e vajzës së tyre.

Vetëm rreth tetë orë para ngjarjes tragjike, gjykata kishte marrë vendime të tjera kufizuese ndaj nënës.

Sipas dokumenteve të cituara nga mediat amerikane, asaj iu ndalua të fliste me vajzën në portugalisht, përveç rasteve kur një mbikëqyrës që fliste gjuhën ishte i pranishëm. Ajo gjithashtu u ndalua të merrte pjesë në aktivitetet shkollore dhe jashtëshkollore të vajzës dhe u urdhërua të paguante detyrimet për mbështetjen e fëmijës, si dhe gjysmën e shpenzimeve mjekësore të papaguara nga siguracioni.

Nuk është bërë e qartë publikisht pse gjykata vendosi kufizime të tilla ndaj nënës.

Familjarët e vajzës thanë se janë të shkatërruar nga ngjarja.

“Vivian ishte 4 vjeçe. Ajo ishte e dashur pa kufi nga babai i saj, Aaron, dhe nga të gjithë ata që prekën jetën e saj”, thanë familjarët.

Ata shtuan se Aaron kishte ndjekur procedurat ligjore dhe kishte respektuar çdo urdhër të gjykatës.

“Të martën, një gjykatës e vendosi Vivian në kujdesin e tij kryesor dhe ajo duhej të shkonte në shtëpi me të atë mbrëmje. Ajo nuk shkoi kurrë.”

Avokatja Charlotte Rainwater, e cila përfaqësonte Aaron Savella, tha se familja është “e shkatërruar” nga ajo që ndodhi.

“Kam ushtruar të drejtën familjare për 28 vjet dhe nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, deklaroi ajo, duke shtuar se askush në sallën e gjyqit të martën nuk e kishte imagjinuar se situata mund të përfundonte në këtë mënyrë.

Top Channel