Shpërndarës droge pranë shkollave, mes përdoruesve edhe 13-vjeçarë, policia identifikon 52 shpërndarës në tetë grupe

29/09/2026 15:17

“Më sill një copë picë”. “Dua një çokollatë të plotë”. Këto ishin disa nga kodet që përdornin të miturit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në kryeqytet për t’u lidhur me shpërndarësit e drogës.

Nga hetimet 4-mujore, policia e Tiranës identifikoi 52 shpërndarës të moshave nga 18-55 vjeç. Këto vëzhgime zbuluan një të vërtetë tronditëse që mosha e përdoruesve është e vogël, deri në 13-14 vjeç.

Hetimi i policisë së Tiranës nisi në muajin maj, fillimisht me identifikimin e dy shpërndarësve të lëndëve narkotike. Në vijim, hetuesit zgjeruan rrethin e personave të dyshuar, duke identifikuar 52 shpërndarës që vepronin në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pjesë e hetimit u bënë edhe agjentë të infiltruar të Policisë së Tiranës, të cilët kryen blerje të simuluara të lëndëve narkotike dhe dokumentuan me pamje lëvizjet e shpërndarësve, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.

Në fokus të vëzhgimeve ishin disa prej shkollave 9-vjeçare, si “Kosova”, “1 Maji”, “Harry Fultz” dhe “Gjon Buzuku”, ndërsa në gjimnaze u monitoruan zonat pranë shkollave “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa”, “Andon Zako Çajupi” dhe Shkollës së Mesme Ekonomike.

Sipas policisë, shpërndarësit ishin organizuar në 8 grupe, të cilat vepronin në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Laprakën, Yzberishtin, Selitën, Brrakën, Jordan Misjen, Alliasin, zonën e Tregut Elektrik dhe Qytetin Studenti.

Hetimi ka dokumentuar edhe mënyrën se si funksiononte bashkëpunimi mes këtyre grupeve. Në rastet kur njëri prej shpërndarësve nuk kishte lëndë narkotike në dispozicion, klientët orientoheshin drejt një grupi tjetër. Sipas policisë, kjo praktikë faktonte lidhjet dhe bashkëpunimin mes tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij operacioni ishte goditja e personave që kishin rolin e furnizuesve të tregut. Sipas hetuesve, Gezim Muhameti, i njohur edhe si Gezim Qorri, i arrestuar më herët, dyshohet se furnizonte tregun me heroinë. Ferit Xhani, i njohur si “Luzi”, dhe Engrid Henaj dyshohet se kishin rolin e furnizuesve me kokainë, ndërsa Erald Tafani, i arrestuar më herët, dyshohet se furnizonte tregun me kokainë dhe cannabis sativa.

Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë me rol furnizuesi, të cilët, sipas hetimeve, siguronin sasi më të vogla të lëndëve narkotike, rreth 200 deri në 300 gramë kokainë.

Top Channel