Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të hënë i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës Ilir Meta lidhur me vakancat e krijuara në disa bashki të vendit.
Në një përgjigje për Presidentin, KQZ bën me dije se është njoftuar vetëm për tre vakanca në bashkitë Vorë, Shkodër dhe Dibër.
Sipas letrës së KQZ-së, ky institucion është njoftuar për shkarkimin e Agim Kajmakut në Vorë, ndalimin e kandidimit të Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe për dorëheqjen e Dionis Imerajt në Dibër.
Ndërkohë pa kryetar janë dhe bashkitë Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnje.
Në Durrës, Valbona Sako u dorëhoq pak ditë pas tërmetit të 26 Nëntorit, kreu u Bashkisë Rrogozhinë ndërroi jetë, ndërsa Fatos Tushe që drejtonte Lushnjën u arrestua nga SPAK.
Presidenti Ilir Meta njoftoi të premten e kaluar se ka nisur procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme të pjesshme për disa bashki të vendit.
Ai priti deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve të mbajtura në qershor të vitit 2019, të cilat u bojkotuan nga opozita dhe ishin shfuqizuar me dekret të presidentit.
Meta sulmoi Gjykatën Kushtetuese ‘për mungesë përgjegjshmërie’ lidhur me vendimin e marrë prej saj në nëntor 2021, vendim që rrëzonte kërkesën e Shoqatës së Bashkive për shfuqizimin e këtyre zgjedhjeve si anti-kushtetuese.
Duke justifikuar vonesën e shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme me pritjen e një vendimi nga Kushtetuesja, Meta bëri të ditur nisjen menjëherë të procedurave duke i dërguar një letër KQZ-së, ku i kërkonte informacion zyrtar për vakancat në pushtetin vendor.
Top Channel