Real Madrid tregon muskujt dhe përballë Barcelonës, duke marrë biletën e parë për në finalen e Superkupës së Spanjës, por duke u munduar jo pak, për shkak se iu deshën 120 minuta lojë për të marrë fitoren.
Në “El Clasico”-n e cila u luajt në Arabi, “galaktikët’ dëshmuan se këtë edicion diferencat janë të mëdha mes tyre dhe katalanasve, që edhe pse bënë gjithçka, në fund nuk ia dolën që të regjistronin një rezultat pozitiv ndaj rivalëve të përjetshëm. Goli i Vinicius Jr në të 25-ën, ishte një tregues se braziliani po kalon një moment fantastik, duke u konfirmuar si një prej elemntëve më të rëndësishëm të “Los Blancos”. Sulmuesi avancoi i vetëm dhe nga brenda zone arriti që të mposhte portierin e katalanasve.
Pas golit të pësuar Barcelona u zgjua, duke nisur që të ngacmojë më shumë në portën e Courtois. Luuk de Jong provoi në dy mundësi në minutat 30 dhe 32, por pa rezultat, megjithatë holandezi do të arrinte që në të tretën mundesi të gjente rrugën e rrjetës. 31-vjeçari ktheu në gol një harkim të Dembele, me topin që pasi u përplas në shtyllë shkoi në fundin e rrjetës.
Pjesa e dytë nisi me Barcelonën më këkuese, megjithatë ishte Reali më i rrezikshëm në daljet përpara. Benzema kërcënon seriozisht Ter Stegen në të 69-ën, me sulmuesin i cili ishte i pafat pasi goditja e tij gjeti shtyllën. Francezi edhe një herë konfirmoi se po rilind në këtë sezon, duke shënuar emrin e tij në listën e shënuesve teksa në të 72-ën i dha avantazhin për të dytën herë madrilenëve. Kur gjithçka u duk se po shkonte drejt një suksesi brenda kohës së rregullt, Ansi Fati mendoi për t’i dhënë shpresë Barcelonës, duke kthyer në gol një harkim nga e majta.
Në kohën shtesë, Barcelona kaloi në aventurë, duke tenmtuar që të bëjë përmbysjen e madhe, por la hapësira pas dhe në të 98-ën, Valverde shfrytëzoi maksimalisht një kundërsulm të shpejtë të “galaktikëve”, të cilët në fund gëzuan kalimin për në finalen e madhe të Superkupës së Spanjës. Real Madrid do të ndeshet të dielën me fituesen e çiftit Atletico Madrid-Athletic Bilbao.
Top Channel