Në dy sezonet e fundit sfida Roma-Inter i ka dhënë drejtim garës për titullin në Serie A, në këtë që sapo ka nisur ajo vendos kandidaturën për të qenë ndër më vendimtarët. Në orën 18:00 të kësaj të shtune, verdhekuqtë dhe zikaltri do të sfidojnë njëra-tjetrën në Olimpico ku secila prej skuadrave do të kërkojë të shkëputet e vetme në krye të klasifikimit.

Serie A është vetëm në javët e para dhe është ende herët për të dhënë verdiktet përfundimtare, por për Romën dhe Gasperinin një fitore ndaj Interit do të vlejë më shumë sesa thjesht 3 pikët.

Gasperini-Inter, fitorja mungon prej 17 ndeshjesh

Kjo edhe sepse si trajneri ashtu edhe klubi roman me një triumf ndaj Interit do të largonin hijet e dyshimit që janë mbi ta. Për Gasperinin bëhet fjalë për një sfidë speciale; aventura e tij në Milano zgjati vetëm 5 ndeshje, është një plagë që nuk është shëruar kurrë plotësisht. Por si kundërshtar, Interi është shndërruar në një makth të vërtetë; në 36 ndeshje në total, bilanci flet për 5 fitore, 9 barazime dhe 22 humbje. Për më tepër, Gasperini nuk fiton ndaj zikaltërve prej 17 ndeshjesh. Herën e fundit që ai ia ka dalë të thyejë zikaltrit ka qenë në 11 nëntor 2018 në Atalanta-Inter 4-1.

Inter dhe lidhja me Olimpico

Por Interi nuk është një tabu vetëm për Gasperinin. Edhe Roma së fundmi e ka pasur të pamundur të mposhtë zikaltrit. Në mënyrë të veçantë, në Olimpico, fitorja e verdhekuqve ndaj skuadrës milanezë mungon prej thuajse 10 vitesh; ishte 2 tetori i 2016, Roma fitoi 2-1 me golin e Dzekos dhe autogolin e Icardit. Që nga ajo ditë janë regjistruar 3 barazime dhe 6 humbje  nga ana e klubit roman.

Ndeshja për titullin

Por fitorja e fundit e verdhekuqve është e kohëve të fundit, në 27 prill 2025 në San Siro falë golit të Mati Soule. Një humbje që e nxori thuajse përfundimisht Interin jashtë garës për titullin me Napolin. Ndërsa në prillin e këtij viti, fitorja 5-2 e zikaltërve i drejtoi ata drejt fitores së titullit të 21 në Serie A. Pikërisht kjo ishte edhe humbja e fundit e Romës së Gasperinit në një ndeshje zyrtare. Që nga ky moment verdhekuqtë kanë regjistruar 10 fitore(9 nga të cilat radhazi) dhe një barazim

 

Top Channel