Korrespodentja e Top Channel ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku u ekzekutua biznesmeni Rakip (Pilot) Rroli mëngjesin e të premtes në Kurbin.
Nga pamjet e siguruara duket makina me të cilën po udhëtonte biznesmeni, e cila është bërë shoshë nga plumbat e kallashnikovit.
Autorët mësohet se e kanë ruajtur dhe ndjekur objektivin, që sapo ka dalë nga banesa dhe sapo është futur në rrugën që lidh fshatin Sanxhak me Kurbinin e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Viktima rezulton si një ish i burgosur në burgun e Shënkollit. Në vitin 2011 ai është përfshirë në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër, rrahën me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë, pas një sherri për motive banale.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se janë 3 persona të dyshuar të përfshirë në atentatin e bërë ndaj biznesmenit, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e tyre.
Gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda raporton viktima njihej si biznesmen i tregtimit të materialeve të ndërtimit në Saxhak.
Top Channel