Situata me zjarret/ 43 vatra në 24 orë, 10 prej tyre mbeten ende aktive. Qindra efektivë dhe 7 mjete ajrore në luftë me flakët, operacioni më i madh në Lurë

16/08/2026 09:59

43 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 3 të tjera janë nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Aktualisht, operacionet vijojnë në disa vatra problematike, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore aktive.

“Ministria e Mbrojtjes – informim për situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

(16 gusht 2026, ora 09:00)

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

* Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit. Operacioni është mbështetur nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

* Vakumone, Shëngjergj – Vatra mbetet aktive. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të mëdha. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat.

* Abaze, Krujë – Zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

* Lufaj dhe Thari, Mirditë – Në Lufaj vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse. Në Thari është evidentuar një vatër e re, ku janë nisur ekipet e MZSH dhe është dërguar në mbështetje 1 helikopter.

* Fushë-Lajë dhe Rrjoll, Shkodër – Në Fushë-Lajë vijon puna në terren të thyer, ndërsa në Rrjoll, për shkak të terrenit të paarritshëm, situata po monitorohet nga afër dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së vatrës.

* Dardhë, Librazhd – MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë punën për shuarjen e vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

AKMC, përmes QKOEC, vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

Top Channel