Shpërthim me lëndë plasëse në Zallë të Fushë-Krujës, ngjarja në banesën e Ylli Zallës. Digjet plotësisht edhe makina e të kërkuarit

16/08/2026 10:52

Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse ka ndodhur gjatë natës në banesën e Ylli Zallës, 49 vjeç, në fshatin Zallë të Fushë-Krujës.

Zalla është person i kërkuar prej muajsh për një çështje që lidhet me gjetjen e një arsenali armësh. Gjatë një aksioni për kapjen e tij, policia i ka gjetur në banesë bomba artizanale, ndërsa kjo është hera e dytë që në shtëpinë e tij gjendet municion.

49-vjeçari ka refuzuar të dorëzohet prej muajsh, teksa edhe në të shkuarën është arrestuar tre herë të tjera.

“Krujë/Informacion paraprak. Gjatë natës, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, në derën e banesës së shtetasit Y. Z., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, si dhe ka marrë flakë dhe është djegur automjeti në pronësi të këtij shtetasi, i cili ishte i parkuar pranë banesës.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, shkruan Policia.

Top Channel