Zjarri në hotelin në Vlorë, 5 shqiptarë të Kosovës të plagosur/ Dy në gjendje të rëndë, një vajzë me 90% të trupit të djegur

16/08/2026 12:05

Për shkak të zjarrit të rënë në një hotel në Lungomare në Vlorë, 5 qytetarë të cilët ishin akomoduar aty dhe që kanë pësuar djegie e dëmtime të rënda, po trajtohen në spitalet e QSUT-së dhe Traumës.

Burime nga QSUT bëjnë me dije se një vajzë e re, 25 vjeç, e cila ka 90% të trupit të djegur dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore, po trajtohet në Reanimacionin Qendror, bashkë me një djalë i cili ka 30% të trupit të djegur, por është në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të gazrave që ka thithur nga tymi.

Të dy këta pacientë janë nën monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Një tjetër vajzë, po e moshës 25-vjeçare, me gati 30% djegie në trup të gradës së dytë, po trajtohet në Shërbimin e Djegie-Plastikës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy pacientë, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta në tentativë për t’u larguar nga hoteli, kur kanë konstatuar flakë dhe tym.

Qytetarët e lënduar janë 5 shtetas kosovarë, të cilët kishin ardhur me pushime në Vlorë dhe ishin akomoduar në hotelin Brooklyn në Lungomare, i cili gjatë natës së të shtunës, duke u gdhirë e diela, u përfshi nga flakët.

Top Channel