I gjendet armë automatike dhe municion në banesë, arrestohet 44-vjeçari në Pogradec

16/08/2026 12:15

Një 44-vjeçar është arrestuar në Pogradec, pasi gjatë kontrollit të dy banesave të tij policia gjeti një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat i posedonte pa leje.

Operacioni i koduar “Befasia” u finalizua nga specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas kontrolleve, hetimeve dhe informacioneve operative për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

“Pogradec/Finalizohet operacioni policor i koduar “Befasia”. Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet një 44-vjeçar, të cilit iu gjetën në banesë një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municioni luftarak.

Si rezultat i punës parandaluese, bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.

Si rezultat, u ushtrua kontroll në dy banesat që shtetasi B. B. ka në lagjen nr. 3, Pogradec, dhe në fshatin Vërdovë, Pogradec, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, së bashku me municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi B. B., 44 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.

Top Channel