Zjarr në fshatin Trevllazër në Novoselë, digjen sipërfaqe të tëra me ullinj shekullorë. Zjarrfikësit në vështirësi prej erërave

16/08/2026 13:14

Një sipërfaqe me ullinj po shkrumbohet nga flakët në fshatin Trevllazër, në Njësinë Administrative Novoselë.

Zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë fillimisht për izolimin e flakëve dhe më pas për shuarjen e plotë të vatrave. Situata vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit në pemëtari dhe veçanërisht në ullishte.

Flakët kanë përfshirë disa ullinj, të cilët vijojnë të digjen. Bëhet fjalë për një zonë të njohur për ullinjtë shekullorë, ndërsa zjarret në këtë fshat nuk janë një fenomen i ri. Trevllazëri është përfshirë edhe më herët nga flakët, kryesisht në sipërfaqet me ullishte.

Forcat zjarrfikëse vijojnë betejën me flakët, ndërsa era e fortë mbetet një prej faktorëve kryesorë që po vështirëson punën për neutralizimin e plotë të zjarrit.

Top Channel