Sipas masave kufizuese që hyjnë në fuqi sot në Itali personat e pavaksinuar nuk do të mund të shkojnë më në kinema, teatër, koncerte dhe evente të mëdha sportive. Në këto ambiente do të futen qytetarët që paraqesin “Green Pass Super”, pra certifikatë vaksinimi.
Por nga ky rregull përjashtohen edhe personat që kanë kaluar së fundmi covid-19, të cilët gjithashtu kanë akses në frekuentimin e ambienteve që u jepet akses të vaksinuarve.
Tashmë rezultati i një testi PCR negativ nevojitet vetëm për të hyrë në vendin e punës. Deri tani ajo kërkohej ne udhëtimet me avionë ose aeroplanë në distanca të gjata, por tani do të kërkohet për udhëtimet lokale (metro, autobus dhe trena lokalë).
Inspektimet kanë nisur herët në mëngjes në stacionet hekurudhore në të gjithë vendin. Në Romë është vënë një gjobë prej 400 euro për një 50-vjeçar, i cili ka zbritur nga autobusi pa rezultatin e testit PCR negativ në afërsi të Piazza del Popolo, në qendrën historike të kryeqytetit italian, sipas “Corriere della Sera”.
“Nuk e kam sepse kam dashur të vaksinohem në ditët në vijim”, tha ai.
Këtë fundjavë, në Romë hyri në fuqi detyrimi për të përdorur maskën jashtë, veçanërisht në rrugët e ngarkuara me shumë qytetarë. Italia, e cila u godit rëndë nga epidemia në fillim të vitit 2020, deri më tani ka regjistruar 134,000 humbje jete. Edhe pse numri i rasteve është në rritje, Italia është në një pozitë më të mirë se fqinjët e saj, duke regjistruar 15,000 dhe 20,000 raste të reja çdo ditë në ditët e fundit.
Rreth 85% e atyre mbi 12 vjeç janë plotësisht të vaksinuar, fushata e vaksinimit për dozën e tretë përforcuese është në zhvillim e sipër dhe vaksinat për fëmijët 5 deri në 11 vjeç do të jenë në dispozicion së shpejti.
Nga dita e sotme “Green Pass Super” që u jepet ekskluzivisht të vaksinuarve dhe të sapo shëruarve do të kërkohet për të gjitha aktivitetet kulturore dhe brenda restoranteve.
Top Channel