JULIO CORTÁZAR (gusht 1914 – shkurt 1984) është një nga shkrimtarët më të mëdhenj argjentinas dhe të mbarë gjuhës spanjolle të shekullit të XX-të.

Vuri ‘vulën’ në çdo zhanër ku shkroi; në romane, tregime, ese, drama dhe skenare, etj. I njohur si një prej themeluesve të boom-it letrar të Amerikës Latine, vepra dhe personaliteti i tij ndikoi një sërë brezash krijues dhe lexues në dy Amerikat dhe Europë. Në analet e kritikës letrare ai njihet si “mjeshtri modern i tregimit”. Është mjaft domethënës fakti që Borgesi, bibliotekën e Babelit, siç e pagëzoi vetë, e fillon me Tregimet e Kortasarit.
Kortázar studioi në Argjentinë, ku, pasi kreu studimet për letërsi, dha mësim në shkolla të mesme dhe më vonë punoi si përkthyes profesionist. ‘Bestiari’ (1951), vëllimi i tij i parë me tregime, u botua atë vit kur ai mërgoi në Paris, largim ky i motivuar nga pakënaqësia me qeverinë e Juan Perón-it. Qëndroi në Paris, ku mori nënshtetësinë franceze në 1981, megjithëse ai po ashtu mbajti nënshtetësinë argjentinase dhe mbeti i angazhuar me kauza politike në Argjentinë dhe Nikaragua. Udhëtoi shumë nëpër botë.

Vëllimi tjetër me tregime të shkurtra (“Fundi i lojës”; 1956), u pasua nga (“Armët e fshehta”; 1958). Ankthi metafizik që ai ndjen në kërkimin e tij për përsosmërinë artistike dhe në dështimin e tij për të kapur kalimin e kohës, i shoqëruar me refuzimin e vlerave të shekullit të 20-të, ishte ndër preokupimet kryesore të Cortázar-it.
Kryevepra e Cortázar-it, Rajuela (1963) është një roman i hapur, ose anti-roman; lexuesi ftohet t’i rendisë nga fillimi kapitujt e çrregullt të romanit sipas një plani të përshkruar nga autori. Ky libër ishte i pari i “bum-it” të romaneve të Amerikës Latine të viteve ‘60 që fitoi vëmendjen ndërkombëtare. Romanet e tjera të Cortázar ishin ‘Fituesit’ (1960) dhe ‘Libri i Manuelit’ (1973). Vëllimet e tij të mëvonshme me tregime përfshijnë ‘Të gjithë zjarret dhe tregime të tjera, ‘Një Lukas i përcaktuar’, dhe ‘Aq shumë e duam Glendën dhe përralla të tjera.’ Kortázar gjithashtu shkroi poezi, drama, skenre dhe botoi vëllime të shumta me ese dhe kritika letrare.

Thënie për Autorin

“Surrealistët shpikën shprehjen ‘e përditshmja-e mrekullueshmja’ për atë realitet poetik, të mistershëm, të çliruar nga kontingjenca dhe nga ligjet shkencore, të cilin poeti/shkrimtari mund ta perceptojë nën dukjet e jashtme, nëpërmjet ëndrrave ose kllapive. Po për mendimin tim, më shumë se çdo shkrimtar tjetër të kohës sonë, kjo karakterizon Kortasarin, falltar që pikaste të pazakontën tek e zakonta, absurden tek e logjikshmja, përjashtimin te rregulli dhe të mrekullishmen te banaliteti. Askush nuk i ka dhënë aq dinjitet letrar së parashikueshmes, konvencionales dhe tokësores në jetën njerëzore, të cilat, në lojërat prej xhongleri të penës së tij, shprehnin një ëmbëlsi të fshehtë ose shfaqnin një pamje të përçudshme, sublime apo të llahtarshme. Në mënyrë aq të skajshme sa që, duke kaluar nëpër duart e tij, ndoca udhëzime për të kurdisur sahatin ose për të ngjitur shkallët mund të jenë poema të ankthshme në prozë dhe njëherësh tekste zbavitjeje patafizike.

-Mario Vargas Llosa

‘Shpjegimi i alkimisë së fiksioneve të Kortasarit, që shkrin fantazinë më irreale me jetën gazmore të trupi dhe të rrugës, jetën e imagjinatës, të lirë dhe pa pengesa, me jetën e kushtëzuar të trupit dhe të historisë, qëndron te stili. Një stil që mrekullisht shkërben rrëfimin gojor, zhdërvjelltësinë e rrjedhshme të së folurës së përditshme, shprehjen spontane, pa kozmetikë dhe pa vetëfryrje, të njeriut të rëndomtë. . . Edhe gjuha e Kortasarit është fiksion, e sajuar me kujdes, një artific aq efikas sa që duket natyror, një e folur e riprodhuar e jetës, që shkon tek lexuesi duke rrjedhur drejtpërdrejt nga ato gojë dhe ato gjuhë të gjallëruara të burrave dhe grave prej mishi e gjaku, një gjuhë aq e tejdukshme dhe aq e rrafshtë sa që ngatërrohet me ato që emërton, me situatat, me sendet, me qeniet, me peizazhet, me mendimet, për t’i shfaqur më mirë në autenticitetin dhe vërtetësinë e tyre, si nëpërmjet një shkëlqimi të përkorë që i ndriçon së brendshmi. Falë stilit, fiksionet e Kortasarit fitojnë atë besueshmëri të fuqishme, atë energji njerëzore që regëtin brenda çdonjërit prej tyre, madje edhe në ata më të koklaviturit. Funksionaliteti i stilit të tij është i atillë saqë tekstet më të mira të Kortasarit ngjajnë si të folura.
-Mario Vargas Llosa

‘I veçova ndër të tjera ato dy kujtime të cilat më prekin shumë e që e përcaktojnë Cortázar-in më së miri. Ato paraqesin dy skajet e personalitetit të tij. Në jetën private, si atëherë në trenin për në Pragë, ai qe kaq tërheqës në elokuencën e tij, në erudicionin kaq të gjallë, në kujtesën kaq milimetrike, në humorin kaq subersiv, në gjithçka që e bën atë njërin prej intelektualëve të mëdhenj të epokës, në kuptimin klasik të fjalës. Në jetën publike, qoftë edhe në pikën më të vakët të dëshirës për të lexuar në publik apo për t’u shfaqur para tyre, Cortázar-i e mbërthente audiencën me një prani të pashmangshme dhe që duhej të kishte patjetër diçka mbinatyrore në gjithë këtë, të brishtë porse jo të afërt. Në të dyja këto raste unë kam ndjerë se ai është personi më mbresëlënës që kam patur rastin të njoh.’
― Gabriel García Márquez

“Së bashku me Joyce-in dhe D. H. Laërence-in, me Hemingëay-in dhe Isak Babelin, Borges-in dhe Calvino-n, Cortázar-i është një prej tregimtarëve kanonikë të shek. XX-të.”
―Harold Bloom

“Do t’i jem përherë borxh veprës së Julio Cortázar-it.”
― Roberto Bolano
“Origjinale…retiçente dhe kaq e fuqishme … metoda e Cortázar-it synon ta ruajë fort kontrrollin mbi një botë shkëlqimtare dhe me jetë sociale të sofistikuar, plot sharm, por që ndën të cilën shtrihet ajo të cilën askush nuk mundet ta vështrojë dot në sy, ajo të cilën askush nuk mundet ta zëjë n’goje.”
― La Repubblica

“Në këto tregime ne përballemi me një imagjinatë letrare të klasit botëror në kulmin e veprimit”
―Allgemeine Zeitung

Top Channel