Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të martën se ai nuk ka vendosur ende nëse do të kandidojë për një mandat të ri gjashtë-vjeçar në Kremlin, kur mandati i tanishëm i skadon në 2024.
“Sipas kushtetutës kam të drejtën të zgjidhem për një mandat të ri. Do ta bëj apo jo këtë, për momentin nuk e kam vendosur, por vetë ekzistenca e kësaj të drejte (të kandidaturës) tashmë stabilizon situatën e brendshme politike”, tha Putin.
Putin ka qenë në pushtet si president ose kryeministër që nga fundi i shekullit, duke e bërë atë udhëheqësin më jetëgjatë të Kremlinit pas Jozef Stalinit. Rusia votoi për reformat vitin e kaluar që i japin Presidentit Putin të drejtën për të kandiduar për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare, pa të cilat ai do të duhej të largohej në vitin 2024.
Disa analistë kanë sugjeruar se Putin mund të bëhet një president “i pafuqishëm” nëse nuk do të kandidonte përsëri në 2024.
Top Channel