“Ai do të ishte krenar”/ Kryeministri britanik humb babain që vuante nga Alzheimeri

14/09/2026 16:13

Kryeministri britanik Andy Burnham është në zi pas vdekjes së babait të tij, Roy Burnham, i cili vuante prej vitesh nga sëmundja e Alzheimerit dhe jetonte në një institucion kujdesi.

Lajmi u konfirmua nga Downing Street, ndërsa kryeministri anuloi të gjitha angazhimet e planifikuara për të hënën dhe të martën, për t’u përballur me humbjen e të atit.

Vdekja e Roy Burnham vjen më pak se dy muaj pasi djali i tij mori detyrën e kryeministrit, më 20 korrik. Pak para se të mbërrinte në Downing Street, Andy Burnham kishte folur publikisht për dhimbjen që ndiente pasi i ati, për shkak të Alzheimerit, nuk ishte në gjendje të kuptonte arritjen më të rëndësishme politike të jetës së tij.

“Kjo është diçka që më trishton, sepse ai do të ishte krenar”, kishte thënë Burnham në korrik, duke treguar për një nga vizitat e fundit te babai i tij në njësinë e kujdesit.

Për kryeministrin britanik, historia e të atit ka qenë gjithashtu e lidhur ngushtë me angazhimin e tij politik. Përvoja e familjes me sistemin e kujdesit social është bërë një prej arsyeve kryesore që Burnham kërkon reforma të thella në këtë sektor.

Pas marrjes së detyrës, ai u zotua të ndryshojë sistemin e kujdesit social, duke iu referuar jo vetëm babait të tij, por edhe miliona njerëzve të tjerë që përballen me vështirësitë e këtij sistemi.

Roy Burnham kishte qenë gjithashtu një mbështetës i sistemit të përfaqësimit proporcional dhe prej vitesh kishte përpjekur të bindte të birin të ndryshonte qëndrimin e tij për sistemin zgjedhor. Andy Burnham më vonë lëvizi në atë drejtim, por për shkak të përkeqësimit të shëndetit të të atit, ai dyshon se Roy nuk arriti ta kuptonte se më në fund kishte ndikuar në bindjet e tij.

Vetëm një ditë para lajmit për vdekjen e babait, Burnham mori pjesë në Gjysmëmaratonën e Great North Run, së bashku me rreth 63 mijë vrapues. Ai e përfundoi garën për një orë e 57 minuta, duke mbledhur para për organizatën bamirëse Changing Lives.

Pas humbjes së të atit, takimi i planifikuar të hënën në Downing Street me kryetarë bashkish, drejtues biznesesh dhe përfaqësues të kompanive të mëdha u anulua, së bashku me angazhimet e tjera të kryeministrit.

Për Andy Burnham, humbja është veçanërisht e dhimbshme, pasi babai i tij kishte luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe formimin e tij politik, por nuk arriti ta kuptonte se djali i tij kishte mbërritur në Downing Street si kryeministër i Britanisë.

Top Channel