Monoksidi i karbonit shuan një familje në Itali, pas prindërve ndërron jetë edhe foshnja 7-muajshe
Sulmet e vazhdueshme ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi po e kthejnë konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës në një sfidë gjithnjë e më shqetësuese për NATO-n. Rumania dhe Bullgaria, dy vende anëtare që kanë dalje në detin e zi, po përballen me pasojat e konfliktit.
Lufta detare mes Rusisë dhe Ukrainës po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese, duke u shtrirë përtej zonave të drejtpërdrejta të konfliktit dhe duke prekur interesat e sigurisë së vendeve anëtare të NATO-s në Detin e Zi.
Analistët ushtarakë shprehen se kanë pak dyshime se sulmet e fundit janë kryer nga Rusia. Sipas kompanisë së sigurisë detare Ambrey, një dron i filmuar gjatë sulmit të fundit kishte ngjashmëri me një model të përdorur nga marina ruse.
“Është padyshim një përshkallëzim”, deklaroi Sidharth Kaushal, studiues i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), me seli në Londër.
Moska mohon se ka shënjestruar me dronë vendet fqinje të Ukrainës. Kremlini, nga ana tjetër, akuzon qeveritë europiane se po përshkallëzojnë luftën përmes furnizimit të Kievit me ndihmë ushtarake.
Rusia po teston vijat e kuqe të NATO-s
Shumë prej anijeve të goditura gjatë muajit tetor ndodheshin të ankoruara pranë një kanali strategjik rumun, ose po lundronin drejt apo nga ky kanal, i cili përdoret nga Ukraina për eksportet e saj.
Një prej anijeve u godit në ujërat territoriale të Rumanisë, ndërsa tetë të tjera ndodheshin në zonat ekskluzive ekonomike të Rumanisë ose Bullgarisë.
Iulia Joja, drejtoreshë e programit për Detin e Zi në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, vlerëson se Rusia po i llogarit sulmet duke marrë parasysh ngurrimin e Perëndimit për të ndërmarrë hapa që mund të çojnë në një përshkallëzim të drejtpërdrejtë.
“Bëhet fjalë për testimin e këtyre vijave të kuqe, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se ne do të bëjmë gjithçka për të ndërmarrë masat më minimale të mundshme”, u shpreh Joja.
Ajo e krahasoi këtë strategji me shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s nga dronët rusë gjatë viteve të fundit.
Një zyrtar i NATO-s deklaroi se veprimet e Rusisë, të cilat synojnë të dekurajojnë aleatët nga mbështetja ndaj Ukrainës, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë. Ai theksoi se angazhimi i Aleancës për mbrojtjen e të gjithë anëtarëve të saj, përfshirë vendet e Detit të Zi, mbetet i palëkundur.
Deti i Zi, një korridor jetik për tregtinë dhe energjinë
Për Rumaninë, Deti i Zi ka rëndësi strategjike jo vetëm për tregtinë, por edhe për sigurinë energjetike.
Në këtë zonë ndodhet projekti Neptun Deep, i cili synon shfrytëzimin e rezervave të gazit natyror në det të hapur dhe pritet ta kthejë Rumaninë në prodhuesin më të madh të gazit në Bashkimin Europian.
Në muajin gusht, një dron detar iu afrua edhe këtij projekti, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike.
Bukureshti e ka cilësuar si “sistematik” modelin e sulmeve ruse ndaj anijeve civile, por deri më tani ka shmangur atribuimin e përgjegjësisë për incidente konkrete, duke argumentuar se nevojiten prova dhe verifikime.
Bullgaria, nga ana e saj, nuk e ka akuzuar drejtpërdrejt Moskën, por ka deklaruar se disa prej sulmeve duket se janë në interes të Rusisë.
Situata bëhet edhe më delikate në një kohë kur Uashingtoni po rishikon praninë e tij ushtarake në Europë, ndërsa zhvendos vëmendjen strategjike drejt Kinës. Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara tërhoqën rreth 1.000 trupa nga Rumania.
Rreth 400 anije të goditura gjatë vitit të fundit
Përshkallëzimi i sulmeve në Detin e Zi ka goditur rëndë një nga korridoret më të rëndësishme detare për eksportin e drithërave dhe naftës, si për Ukrainën, ashtu edhe për Rusinë.
Sipas Tomas Alexa, analist i lartë në Ambrey Analytics, nga maji deri në tetor, Rusia dhe Ukraina goditën gjithsej 317 anije tregtare dhe mjete të tjera lundruese në Detin e Zi dhe Detin Azov. Kjo shifër është më shumë se katër herë më e lartë krahasuar me 74 anijet e goditura gjatë gjashtëmujorit paraardhës.
Intensiteti i sulmeve ka ndryshuar nga një periudhë në tjetrën.
Sipas të dhënave të Ambrey, gjatë tremujorit të tretë Ukraina kreu 137 sulme ndaj anijeve, kundrejt 92 sulmeve ruse. Ndërsa vetëm në tetor, Rusia goditi 38 anije, krahasuar me pesë sulme të kryera nga Ukraina.
Eksportet e drithërave bien ndjeshëm
Sulmet e vazhdueshme ndaj porteve dhe anijeve kanë shkaktuar rënie të ndjeshme të eksporteve, duke i detyruar të dyja vendet të kërkojnë rrugë alternative për transportin e mallrave.
Sipas të dhënave të eksportit rus të siguruara nga Reuters, Rusia eksportoi vetëm 300 mijë tonë drithëra përmes Detit të Zi dhe Detit Azov në shtator, nga 4,74 milionë tonë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, Ukraina pezulloi operacionet në portet e saj të Detit të Zi në fund të korrikut, për shkak të sulmeve ruse.
Si rrjedhojë, Kievi u detyrua të zhvendosë një pjesë të eksporteve drejt porteve lumore në Danub, për të vijuar më pas transportin përmes Kanalit të Sulinës në Rumani dhe rrugëve detare përgjatë bregdetit rumun.
Megjithatë, edhe kjo alternativë nuk ka arritur të kompensojë humbjet. Eksportet ukrainase të drithërave përmes porteve ranë në 810 mijë tonë në shtator, nga 2,1 milionë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Andriy Ryzhenko, analist detar dhe ish-zyrtar i lartë i marinës ukrainase, objektivi kryesor i Rusisë është të reduktojë më tej vëllimin e eksporteve ukrainase, ndërsa testimi i vendosmërisë së NATO-s përbën një objektiv të dytë.
Zelensky paralajmëron për krizë ushqimore
Sulmi i javës së kaluar ndodhi në një moment kur ministrat e Mbrojtjes dhe drejtuesit ushtarakë të Rumanisë, Bullgarisë dhe Turqisë po zhvillonin një takim në Sofje, për të diskutuar situatën e sigurisë në Detin e Zi.
Ministri turk i Mbrojtjes paralajmëroi Rusinë dhe Ukrainën kundër vijimit të sulmeve ndaj transportit detar.
Ankaraja është duke pritur përgjigjen e Moskës dhe Kievit për një propozim që parashikon një armëpushim të kufizuar në det.
Turqia ka një rol kyç në këtë çështje, pasi kontrollon kalimin e anijeve luftarake përmes ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve, në bazë të Konventës së Montreux-së.
Disa vende, mes tyre Egjipti, Turqia dhe India, kanë bërë thirrje për një armëpushim detar, me synimin për të shmangur pasojat ekonomike të ndërprerjes së transportit detar, në një kohë kur çmimet ndërkombëtare të karburanteve dhe drithërave janë rritur.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të shtunën se interesimi ndërkombëtar për një armëpushim të kufizuar po rritet.
Megjithatë, Rusia e ka refuzuar këtë propozim, duke argumentuar se një marrëveshje e tillë do t’i jepte Ukrainës mundësi për të marrë frymë dhe për të përmirësuar pozitat e saj.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për pasojat që mund të ketë vijimi i sulmeve ndaj eksporteve bujqësore.
“Të gjithë po flasin për naftën dhe po harrojnë drithërat. Pas një ose dy muajsh, të gjithë do të fillojnë të flasin për një krizë bujqësore”, deklaroi ai.
Përtej përballjes ushtarake mes Moskës dhe Kievit, zhvillimet në Detin e Zi po shndërrohen kështu në një sfidë të drejtpërdrejtë për sigurinë e NATO-s, stabilitetin e tregtisë ndërkombëtare dhe furnizimin global me energji e ushqime.
Top Channel