Një statujë e aktivistit të krahut të djathtë, Charlie Kirk, është vandalizuar në selinë e organizatës Turning Point USA në Phoenix të Arizonës.
Statuja, e cila u gjet e lyer me bojë të kuqe, nuk ishte objekti i vetëm i dëmtuar. Edhe një poster përkujtimor i vendosur pranë saj është vandalizuar me bojë të kuqe. Deri më tani, autori ose autorët e vandalizmit nuk janë identifikuar.
Turning Point USA tha në një deklaratë se statuja do të restaurohet dhe tabelat e dëmtuara do të zëvendësohen.
Organizata bëri të ditur gjithashtu se po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë dhe po bashkëpunon me autoritetet për të identifikuar personin përgjegjës.
“Ne do ta restaurojmë statujën dhe do të zëvendësojmë tabelat, por po shqyrtojmë gjithashtu pamjet filmike të incidentit dhe po punojmë me forcat e ligjit për të identifikuar se kush e bëri këtë dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Statuja, rreth 2,5 metra e lartë, ishte instaluar më 10 shtator, në kuadër të përkujtimit të përvjetorit të parë të vrasjes së Charlie Kirk.
Kirk u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti të organizuar nga Turning Point USA në Utah.
Vrasja e tij shkaktoi reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara dhe riktheu në qendër të vëmendjes çështjet e dhunës politike dhe sigurisë në aktivitetet publike.
Hetimet për vandalizmin e statujës në Phoenix vazhdojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të identifikuar personin përgjegjës.
Top Channel